TIRANE- Këshilli i Ministrave miratoi dje ligjin për shtetësinë, ndërkohë që Kryeministri Sali Berisha njoftoi se do të hyjë në fuqi pas zgjedhjeve parlamentare të 2013-ës. Kjo, për ta zhveshur atë nga qëllimet elektorale. Sipas kryeministrit, vendimi parashikon dhënien e nënshtetësisë ndaj çdo shqiptari dhe duhet të jetë me natyralizim, ndërsa të huajt që duan nënshtetësi shqiptare, duhet të investojnë 200 mijë dollarë në vendin tonë.
Gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë, kryeministri Sali Berisha, duke iu referuar reagimeve në rajon, bëri të qartë se kemi të bëjmë me një standard europian teksa përmendi se Greqia i dha pasaportë minoritetit grek në Shqipëri dhe qeveria shqiptare nuk kundërshtoi. "Ftoj fqinjët të mirëkuptojnë kapërcimin e dasive njëshekullore të vendosura në mënyrë të padrejtë prej saj. Unë bëja thirrje që minoritetet të mos trajtohen si heterogjene por homogjene.
Pse duhet të mohoj që ata janë grekë, qytetarë shqiptarë me origjinë greke dhe Greqia u dha pasaporta atyre?" – tha Berisha, duke kujtuar se kishte kundërshtuar vetëm në një rast, kur forcat politike deshën ta përdornin për qëllime elektorale. "Atëherë e ngrita zërin", – tha Berisha. Lidhur me nënshtetësinë shqiptare, do t'u jepet dhe investitorëve që investojnë 200 mijë dollarë në Shqipëri, dhe kjo nuk mund të quhet 'shitje e shtetësisë'. "Nënshtetësi shqiptare për kritere ekonomike do u jepet atyre që investojnë 200 mijë dollarë dhe e faktojnë tek Tatimet. Këtë e vendosi Hungaria, Mali i zi, Bullgaria.
Nuk mund të ndodhë kurrë që po i shesim shtetësinë, sepse ata kanë shtetësi natyrale, por ky duhet të jetë një veprim i përbashkët", – tha Berisha. Kryeministri sqaroi më tej se Shqipëria s'ka asnjë ambicie territoriale mbi fqinjët dhe rivizatimi i kufijve nuk është në interes të shqiptarëve. "Shqipëria është një vend që nuk ka asnjë ambicie territoriale dhe kjo është e prerë dhe e qartësuar. Përkundrazi, Shqipëria e ka shprehur në mënyrën më të përsëritur, se vizatimi i kufijve në këtë kohë nuk është në interesin e shqiptarëve. Por duke thënë këtë, askush nuk mund të mohojë që kombi shqiptar është i copëtuar në 5 shtete dhe ai që e mohon këtë fakt nuk i kontribuon stabilitetit. Ai kujtoi se e dhe Rruga e Kombit u tentua të bllokohej, nga frika e bashkimit të shqiptarëve. "U përpoqën të na bllokonin ndërtimin e Rrugës së Kombit, pasi kishin frikën e bashkimit të shqiptarëve, por tani Rruga e Kombit po shtrihet deri në Nish dhe kjo nuk u kontribuon vetëm shqiptarëve, por edhe serbëve. Kjo rrugë është thënë se do të ndërtohet nga BE dhe unë e përshëndes këtë", – tha Berisha.





