TIRANË, 16 maj 2013– “Linjë nënujore Itali-Shqipëri për tregun energjetik”. Kështu deklaroi sot kryeministri Sali Berisha gjatë inaugurimit që bëri sistemit të ri të kontrollit OST SCADA/EMS, në Kashar, Tiranë. Ky investim kapi vlerën e 17 milionë eurove.  Kreu i qeverisë në prani të ambasadorit italian, bëri të ditur punën e madhe që është bërë mbi investimet mbi projektet për energjinë elektrike.

“Nga gumëzhimat e gjeneratorëve u bëmë eksportues të energjisë. Se atyre u interesonte ndërprerja masive e energjisë, duke iu paraqitur qytetarëve, mashtrimin se kaq mban rrjeti dhe se nuk mund të importojnë dot më shumë. Në të 4 anët e vendit gumëzhinin gjeneratorë dhe qytete të tëra vendoseshin në agoni energjetike. Nëse analizoni kohën e cila është gjithnjë e më e çmuar, ndikojnë faktorë të tjerë, por ka një faktor që kohën pothuaj e ndalon, pothuaj e zeron, dhe ky faktor është vullneti politik. Përgëzoj punonjësit e tërë sistemit energjetik, ju e patë qartë se vullneti politik është që qytetarëve shqiptarë të mos u mungojë asnjë minutë energjia elektrike, ne vendosëm një standard bazë që duhet të kenë qytetarët e një vendi, kjo politikë u konsolidua”, tha Berisha.

Sipas tij vetëm katër vitet e fundit në sistemin e energjetikës shqiptare janë investuar 730 milionë euro, duke apeluar punonjësit që të përqendrohen në rritjen e efiçencës së përdorimit të energjisë.

“Ne vendosëm një standard bazë, që aspiron zhvillimin, në këtë mënyrë gjatë këtyre viteve kjo politikë u konsolidua, vëetëm, këto vite këto 4 vite, në sistemin eneregjitik shqiptar, sektori publik, ka investuar 730 mln euro”.

Më tej Berisha tha se lidhur me energjinë, qeveria gjithmonë ka marrë në mbrojtje konsumatorin.

“Dikush mund të më thotë se dhe rritja e çmimit të energjisë është normale jo nuk është normale. Ka vende që në 30 vite kanë pasur rritje progresive ekonomikë por kanë pasur vetëm 30% të rritjes së cmimit të enegjisë, por janë përqëndruar tek eficensa e përdorimit të burimeve”.

Berisha theksoi se energjia është fokusi kryesor i qeverisë dhe në këtë drejtim u ndal në projektet e hidrocentraleve, duke thënë se çdo burim që mund të prodhojë energji elektrike të përdoret në këtë drejtim. Kryeministri theksoi se së shpejti do realizohet edhe eksporti i energjisë në rajon si një vend superenergjetik.