12 nëntor 2015 – Fakti që nuk është ftuar nga Kombëtarja e Shqipërisë nuk do të jetë një motiv shtesë për Bernard Berishën, që të japë më shumë se maksimumin e tij në miqësoren e nesërme. Këmbëshpejti i Skënderbeut tha për “Tribuna Channel” se miqësorja me Shqipërinë do të jetë një festë dhe mikpritje për djemtë kuqezinj, të cilët realizuan ëndrrën disavjeçare të shqiptarëve, shkuarjen në finalet e “Euro 2016”.

“Të them të drejtën është një ndjenjë shumë e veçantë për të gjithë ne. Do të jetë një ndeshje festive, duhet t’ua bëjmë një mikpritje shumë të mirë atyre çunave, që na kanë bërë të gjithëve krenarë, por besoj se do të jetë edhe një spektakël futbollistik në fushë. Secila skuadër do të kërkojë fitoren, që ta përfaqësojë shtetin e vet sa më mirë.” 

Duke u shprehur i lumtur për grumbullimin e dytë në përfaqësuesen e Bunjakut, Berisha konstaton se te Kosova ka shumë talente: “Eshtë e dyta herë që jam këtu, me kombëtaren kosovare. Që ditën e parë kam konstatuar se ka shumë talente. Jam shumë i lumtur si pjesë e këtij grupi.”

I pyetur nëse do të luajë për t’i treguar Xhani De Biazit se e ka merituar një ftesë prej tij, Bernard Berisha përgjigjet kështu: “Nuk premtoj gol, por do të jap më të mirën, që t’i shërbej skuadrës. Nuk do të luajmë për De Biazin, por për shtetin tonë, që të japim më të mirën dhe t’ua arrijmë qëllimeve që kemi përpara”.

/portali DurresLajm/