TIRANE, 19 shkurt 2013– Kryeministri Sali Berisha ka mbledhur sot krerët e grupeve të punës për Tiranën për përgatitjen e zgjedhjeve të 2013-tës. Mbledhja u mbajt me dyer të mbyllura në selinë e Partisë Demokratike.

Në mbyllje të saj, kreu i PD-së, Berisha deklaroi se “po bëhen përgatitje intensive dhe makineria elektorale e PD-së është në xhiro të shpejta dhe po fuqizohet çdo ditë e më shumë. Jemi të vendosur të angazhohemi në një fushatë me të qytetëruar që kemi zhvilluar ndonjëherë,  mbi bazën e eksperiencave të derisotme. Në një fushatë ku do të adresojmë, ndalemi në të gjithë problematikën e vendit. Do të debatojmë për një program që ka si synim kryesor “Shqipëria vend i zhvilluar,  Shqipëria evropiane.”

Kryeministri, duke iu referuar strategjisë së PS-së, tha se spikasin dy linja kryesore; Kjo e PD-së që shton aleatët progresivisht, ajo e PS-së që i ikin aleatët dhe ecën drejt vetmisë.

Në fillim të këtij muaji, Berisha ka mbajtur një takim me kryetarët e Grupeve të Punës për Qarqet, kryetarët e Grup – Seksioneve të Tiranës dhe deputetë të Tiranës në selinë e Partisë Demokratike.