TIRANE, 12 mars 2013- Mësim dixhital në çdo klasë, standarte të larta të përdorimit të teknologjisë digjitale në shkolla dhe bibliotekë virtuale dhe reale.

Këto ishin disa premtime që bëri sot kryeministri Berisha gjatë inagurimit të shkollës së mesme profesionale në Kamëz.

Gjithashtu kreu i qeverisë theksoi se gjatë 4 viteve të ardhshme do të vijojë rritja e rrogave të arsimtarëve dhe ndërtimi dhe rindërtimi i shkollave në të gjithë vendin.

“Për qeverinë time, arsimi është përparësia e të gjitha përparësive. Ne kemi bërë përpjekje të mëdha që ta vendosim arsimin si përparësinë tonë më kryesore, të bindur që ky është kushti që shqiptarët të kenë të ardhmen që meritojnë. Ndaj dhe në një hark kohor të shkurtër kemi rritur rrogat e arsimtarëvr në 120 përqinddhe jam këtu për të premtuar se gjatë 4 vitet që vijnë rroga do të njohin rritje 2-3 herë më të madhe sesa indeksi i çmimeve dhe në krye të 4 viteve rroga do të jetë mbi 700 dollarë dhe mësuesit do të paguhen më mirë se disa vende anëtare të BE” tha Berisha.

Gjithashtu kryeministri Berisha theksoi se shkollat profesionale do të jenë në qëndër të politikave të qeverisë.

“Arsimi profesional dhe formimi profesional i të rinjve përbën një nga objektivat më madhore për zhvillimin e arsimit në Shqipëri. Koha ka faktuar se janë zhvilluar në mënyrë të qëndrueshme ato ekonomi dhe ato vende që kanë arritur të përshtaten me kërkesat e tregut nëpërmjet arsimit professional” shtoi Berisha.

Godina e re e shkollës së mesme profesionale në Kamëz është një financim në kuadër të projektit IPA, të Bashkimit Europian dhe qeverisë shqiptare me vlerë rreth 1 milion e 100 mijë euro. Ajo është ndërtuar në një sipërfaqe rreth 3400 m2, e standarteve europiane me rreth 24 klasa, laboratorë të kimisë, fizikës, biologjisë, IT-së, laboratorëve të specialitetit dhe palestër.