Ilir Meta më mbledhjen e Komitetit Drejtues Kombëtar të Partisë së Lirisë ka hedhur akuza ndaj drejtësisë së re duke thënë se merr direktiva nga tribunat e Kongreseve të Rilindjes.

Meta solli rastin e Berishës, për të cilin tha se pa asnjë akuzë izolohet në arrest shtëpie ndërsa të gjithë e dinë se destinacionin e Klubit Sportiv “Partizani” në kompleks ndërtimesh e firmosi Edi Rama.

Për fat të keq Drejtësia e Re i merr direktivat nga tribunat e Kongreseve të “Rilindjes”.

Ndaj denoncimet e faktuara dhe të paraqitura nga personat publikë dhe politikë nuk i merr në shqyrtim, për shpifjet e çdo ordineri të paguar nga Qeveria heton rrufeshëm.

Kryetari i Partisë Demokratike pa asnjë akuzë izolohet në arrest shtëpie ndërsa të gjithë e dinë se destinacionin e Klubit Sportiv “Partizani” në kompleks ndërtimesh e firmosi Edi Rama”, tha Meta.

Ai tha ndër të tjera se sfida e opozitës nuk është vetëm të denoncojë të keqen e këtij vendi, por sesi ta mundim atë, ndërsa shtoi se duhet të mobilizohen shpejt.

“Sfida reale e opozitës sot nuk është vetëm të denoncojë kush është e keqja e këtij vendi, por sesi ta mundim atë pasi të gjithë qytetarët e dinë dhe po e përjetojnë në shpinën e tyre çdo ditë.

Ne duhet të mobilizohemi shpejt, ne duhet të kemi një plan veprimi me alternativa, propozime konkrete dhe me ide të reja, me njerëz të rinj dhe energjikë, që duan të kontribuojnë për një Shqipëri të drejtë, positive dhe të begatë.

Ndaj vlerësojmë se forcimi i opozitarizmit dhe konsolidimi i opozitës nuk është thjesht dhe vetëm një çështje e partive, anëtarësisë apo liderëve të tyre, por një çështje themelore e ekzistencës së demokracisë, pluralizmit politik, por mbi të gjitha, çështje ekzistenciale e qytetarëve dhe shoqërisë.

Partia e Lirisë është e bindur se çdo kontribut për forcimin e opozitarizmit fillon me forcimin e vetë Partisë së Lirisë, në zgjerimin e mbështetjes së saj qytetare dhe përfaqësimin e qytetarit dhe fermerit të thjeshtë, të mësuesit e mjekut, profesionistit e biznesmenit, që bazohet në punën e ndershme, të pedagogut e studentit, të veteranit dhe pensionistit.

Partia e Lirisë është e angazhuar të përfaqësojë të papërfaqësuarin, të kthejë besimin tek i zhgënjyeri, angazhimin tek indiferenti, optimizmin dhe shpresën tek të rinjtë.

Partia e Lirisë ka gatishmërinë dhe vendosmërinë për të kontribuar me luajalitet dhe përkushtim në krijimin e një konsensusi të gjerë për të forcuar përfaqësimin e qytetarëve dhe forcimin e opozitarizmit.

Partia e Lirisë është e gatshme të kontribuojë në konsolidimin e gjithë forcave opozitare, në një organizim konsensual dhe solid, për të përgatitur dhe paraqitur përpara shqiptarëve ofertën politike që do t’u ktheje atyre sovranitetin e zgjedhjes, do t’u kthejë qeverisjen e përkujdesur e llogaridhënëse, të kthejë të larguarit dhe të shpejtojë integrimin në Europë, duke fituar zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Partia e Lirisë është e vendosur, që në funksion të këtij qëllimi të mirëpresë çdo kontribut nga brenda dhe jashtë politikës që do t’i shërbejë një kosensusi, pjesëmarrje e perfaqësimi sa më të gjerë të forcave opozitare, duke filluar që nga votuesi i thjeshtë dhe deri në nivelin më të lartë të drejtimit të opozitës,  nëpërmjet zgjedhjes së një kandidati për Kryeministër, që do të gëzonte një mbështetje sa më të gjerë politike dhe shoqërore.

Politika ekziston jo për t’u shërbyer lidereve apo interesave të tyre por si shërbim për qytetarët, si mundësi për t’i bërë ata më të mirëqenë, për ta bërë vendin të qëndrojë me dinjitet krah fqinjëve, partnerëve dhe aleatëve”, tha Meta.