TIRANË, 15 mars 2013 -Kryeministri Sali Berisha mblodhi sot Task Forcën Rregullatore duke deklaruar sot se Shqipëria është e vendosur të krijojë mjedisin më liberal dhe më të lirë për tregun.
Ndërsa ka folur në mbledhjen e task forcës rregullatore, kryeministri Berisha theksoi se tregu i lirë është gjeneratori i rritjes ekonomike, ndaj kontrollet nuk duhet ta ndryshin tregtinë që sipas kreut të qeverisë, ka rëndësi jetike në vend.
‘Nga 100 kënde po të vështrosh rritjen ekonomike, gjeneratori kryesor i saj është liria e tregut, është tregtia e lirë. Asgjë nuk ka rëndësi jetike sesa tregtia e lirë. Janë të rëndësishme Task-at në mënyrë të padiskutueshme, janë të rëndësishme burimet, por njëshi është liria e tregtisë. Dhe i tërë ky proces do të ketë kontrollin më minimal të mundshëm sepse kontrolli është ndrydhja e saj, por a mundet që ato të mos ekzistojnë jo, sepse shoqëria duhet të ketë një mekanizmin për të mbrojtur edhe tregun për qytetarët, por është e mundur që ato të minimalizohen po kjo mund të ndodhë” ka theksuar kryeministri.
Sipas Berishës, minimalizimi i kontrollit është i mundur duke sjellë shembullin me licencat.
“A është e mundur që administrata t’ju konsumojë sa më pak kohë biznesmenëve, a është e mundur që administrata të shmangë të gjitha format e presioneve ndaj tyre, është plotësisht ëe mundur. Unë ju thashe ju, materiali nuk ka qenë objekt diskutimi. E kam shumë të vështirë të konstatoj që autorizimet të degradojnë në licenca. Unë pranoj që të hiqen licenca, por nuk pranoj autorizimet të kalojnë në licenca. Qendra e Kontrollit të Licencave (QKL) dhe ajo vetë ka nevojë që mbi bazën e eksperiencës 2 vjecare të na thotë cilat licenca t’i heqim fare t’i shndërrojmë në vetëdeklarime. Burokracia është e paimagjinueshme”.
Gjithashtu kryeministri e cilësoi reformën e inspektimit si shumë të rëndësishme, pasi sipas tij do të bëjë të mundur eleminimin e inspektimeve abuzuese ndaj biznesit.
“Reforma e inspektimit është një nga reformat më të mëdha dhe më të rëndësishme që është realizuar në këtë vend. Dhe kjo ka pasur një synim heqjen nga shpatullat tuaja të barrës së rëndë të inspektimeve të cilat po grabisin 45 ditë dhe kishin një kosto shumë të lartë, 1 mijë euro në mesatare. Është bërë një punë e jashtëzakonshme për të thjeshtuar nga 36 në 11 inspektoriate, për të krijuar një inspektoriat qendror me qëllimin e vetëm do të kontrollojë ndershmërinë dhe ligjin e kontrolleve mbi ju. Po vendoset sistemi online që inspektorët të lënë gjurmë dhe mos të vijnë tek ju sa herë t`u teket. Kjo reformë përbën një zhvillim jashtëzakonisht pozitiv në qëndrimin e administratës ndaj biznesit, dhe një përpjekje në luftën kundër arbitraritetit dhe një përpjekje shumë e madhe për një kontroll të ndershëm. Ka mbi 2 vjet që punohet në këtë reformë, janë ndryshuar me dhjetra ligje dhe po ecet drejt instalimit të këtij sistemi të ri. Kemi zgjedhur sistemin më modern që ekziston dhe kjo kërkon një bashkëpunim me ju për ta kthyer në një histori suksesi”, tha Berisha.