TIRANE, 20 shkurt 2013– Kryeministri Sali Berisha, postimin e bërë mëngjesin e sotëm në rrjetin social Facebook, ia ka kushtuar simbolikës së datës 20 shkurt të 22 viteve më parë, ditës së përmbysjes së sistemit diktatorial, përmbysjes së bustit të diktatorit Enver Hoxha. 

“Sot është 20 shkurti, dita që përmbysëm diktaturën hoxhiste! Të dashur miq! Më 20 shkurt 1991, të rinjtë dhe qytetarët e Tiranës, të udhëhequr nga PD-ja në një akt guximi të jashtëzakonshëm, përmbysën në Tiranë me lëvizjen më të fuqishme, më masive e popullore, bustin e tiranit më mizor, Hitlerit të pasluftës së Dytë Botërore, Enver Hoxhës. Studentet me grevën e tyre të urisë, të rinjtë dhe qytetarët e Tiranës, 22 vjet më parë, nuk përmbysën vetëm shtatoren e diktatorit por dhe bronxet e gjalla të bllokmenëve hoxhistë dhe diktaturën e tyre”, shkruan Berisha. 

Në të njëjtën kohë kryeministri nuk ka harruar të shigjetojë rivalin e tij politik Edi Rama, që si pasardhës i bllokmenëve, bllokoi marrjen e statusit për në BE për shqiptarët. 

“Sot, pas 22 vitesh, ne nderojmë këtë ditë si anëtare të NATO-s, si qytetarë që lëvizim të lirë në mbarë Europën. Por sot, pas 22 vitesh, neobllokmenët me në krye Edi Ramën ngritën me votën e tyre murin e “Bllokimit”. Me 23 qershor ne do ta shembim atë. Le ta nderojmë së bashku sot pasdite në Qytetin Studenti 20 shkurtin, ditën që përmbysëm diktaturën komuniste dhe ndryshuam epokat dhe historinë. Ne jemi ndryshimi – Përpara! Sb”,- shkruan kryeministri në Facebook.