9 tetor 2014–  Etrit Berisha ka folur pas ndeshjes së kontrollit në “Elbasan Arena” dhe ka thënë se është shumë i emocionuar nga e gjithë atmosfera që u krijua. Ai ka premtuar se lojtarët kuqezi do të bëjnë maksimumin në fushën e lojës për të marrë tri pikët ndaj Danimarkës, pa menduar ndeshjen ndaj Serbisë. Ai ka thënë se është në gjendje mjaft të mirë pavarësisht se nuk është aktivizuar si titullar në dy ndeshjet e fundit të Lacios. “Kam pothuajse 10 ditë që nuk aktivizohem në portën e Lacios, por kjo nuk ka ndikuar aspak në formën time. Jam shumë mirë dhe për këtë iu garantoj”, tha gardiani i portës.

Ai më tej ka treguar se kombëtarja shqiptare i njeh mjaft mirë lojtarët e Danimarkës dhe dinë shumë mirë si t’i ndalin. “I njoh mjaft mirë lojtarët danezë dhe ata kanë kualitete shumë cilësorë. Sulmi i tyre është i frikshëm dhe Bendter është një lojtar i fortë. Ne po bëjmë përgatitje mjaft të mira për t’u paraqitur sa më denjësisht. Nëse luajmë të bashkuar ashtu siç bëmë me Portugalinë besoj se do t’ia dalim të triumfojmë. Shpresojmë që stadiumi i ri të na sjellë fat, por detyra jonë është të luajmë të bashkuar pa bërë dallime në fazën mbrojtëse dhe sulmuese. Do të jetë loja në grup ajo që do të na çojë drejt fitores. Edhe nëse unë pësoj katër gola dhe ekipi shënon pesë do të isha shumë i lumtur sepse e rëndësishme për ne është fitorja”, vazhdoi më tej numri një i kombëtares.
Ai sqaroi edhe kartonin e verdhë që mori në Portugali, duke thënë se do të mundohet të jetë “Fair Play”. “Në Portugali nuk u mundova aspak të vonoja lojën, por ishte një mosmarrëveshje mes meje dhe gjyqtarit kryesor. Sigurisht që këtë herë do të mundohem të zbatoj rregullin sepse e kam një karton të verdhë dhe rrezikoj ndeshjen e ardhshme”, tha Berisha. Ai foli edhe për momentin kur kryeministri Rama i shënoi një gol duke thënë se do sigurohet që ndaj Danimarkës ta mbyllë portën sa më mirë. “Kryeministri më shënoi, por premtoj që ndaj danezëve do të bëj maksimumin për ta mbajtur rrjetën të paprekur”, ka thënë Berisha.