“Mirëmbrëma dhe përshëndetjet e mia më të përzemërta, mirënjohjen më të pakufishme ndaj jush qytetare dhe qytetarë të TIranës, por edhe të Shqipërisë që mblidheni këtu çdo të hënë për të përfaqësuar zërin e vërtetë, ndërgjegjen e vërtetë, idealet fisnike të qytetarëve shqiptarë. I bëni në këtë mënyrë një shërbim të jashtëzakonshëm vendit, opozitës, por edhe të ardhmes tonë.

Por unë kam një mirënjohje të pakufishme sonte për oratorët e kësaj platforme, të cilët kanë sjellë në këtë platformë më fuqishëm se kurrë, më fuqishëm se kudo tjetër, më të vërtetë se në çdo vend tjetër, zërin e qytetarëve shqiptarë.
Asnjëherë një shesh, asnjë vend në këtë tokë nuk ka dëgjuar fjalime më kuptimplota, fjalime më të lidhura, fjalime më të drejta se sa fjalimet e qytetarëve.

Kjo foltore u nis si foltore e qytetarëve dhe mund të them se me fjalimet e mbajtura në këtë foltore, ajo është pa diskutim një kreshtë në oratorinë, në zërin, në përgjegjësinë e qytetarëve shqiptarë. Sot, më shumë se kurrë shoqëria jonë, qytetarët shqiptarë kanë nevojë për fjalën e të vërtetës, kanë nevojë për zërin e të vërtetës sepse ne jetojmë në një terror të jashtëzakonshëm të propagandës dhe mashtrimit.

Sot, mediat e kontrolluara nga qeveria, 24 orë në 24 orë në shtatë ditë të javës shpërndajnë mashtrime, trillime, me të cilat kanë vetëm një qëllim, të mbajnë me çdo kusht në këmbë regjimin mafioz të Edi Ramës, pasi ai u ushqen ato me paratë qau vjedh qytetarëve. I ndiqni debatet në studiot e tyre, ato flasin për Tiranën dhe Shqipërinë sikur po flasin për Pragën, për Berlinin, për Parisin apo për vende dhe kryeqytete ku demokracia është e paprekshme.

Ato në këtë mënyrë barazojnë Edi Ramën, padrinon më të rrezikshëm të mafies së Ballkanit, me njerëzit e lirë, me udhëheqës të lirë, me qeveri që respektojnë vullnetin e qytetarëve, me qeveri që zëvendësohen me votën e qytetarëve.
Po t’i ndiqni, kanë një frazë standard që ua dikton zyra e Edi Ramës. Në një sistem demokratik, thonë ata, në një kohë kur në Shqipëri ky sistem nuk ekziston, por ata duan me çdo kusht të legjitimojnë pushtetin e krimit të Edi Ramës.

Në një sistem demokratik, thonë ata, lakej dhe çakej të regjimit të krimit, përpiqen të bindin shqiptarët se demokraci është regjim i cili votën e qytetarëve e rrëmben me kartele droge, e rrëmben me miliarda euro, e blen, e rrëmben me të gjitha mënyrat dhe i shndërron zgjedhjet në farsë. Në një sistem demokratik, thonë ata, lakej dhe çakej që ushqehen si shushunja me taksat tuaja, duan të mbulojnë vjedhjet e tmerrshme të Edi Ramës. Duan të mbulojnë përçmimin e madh që ai ka për qytetarët”, tha Berisha.