Mesditën e sotme, pranë kishës ortodokse të Apostul Pavlit dhe Shën Astit janë mbajtur homazhet në nderim të mjekut të njohur nga Durrësi, Mikel Muka, i cili u nda nga jeta një ditë më parë.
Me ndarjen nga jeta të 96-vjeçarit, qyteti i Durrësit ka humbur një nga personalitetet më të spikatura në fushën e mjekësisë në vitet e pas luftës dhe ato të demokracisë.
Për të nderuar kujtimin e tij, në homazhe mori pjesë edhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili vlerësoi maksimalisht figurën humane dhe profesionale të mjekut mikrobiolog, Mikel Muka.
“Një qytetar që i bëri nder Durrësit dhe mbarë Shqipërisë, një humanist i madh që ka lënë një trashëgimi të shkëlqyer. Ngushëllimet më të ndjera familjes, të afërmve, por edhe gjithë bashkëqytetarëve të ttij që kanë pasur tek ai si doktor një përfaqësues dinjitoz”,- tha Berisha.





