Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mbajti sot një konferencë për mediat, nga ku foli për mosbindjen civile që u zhvillua mbrëmë në kryeqytet.

Teksa falënderoi të gjithë qytetarët që iu bashkuan protestës, Berisha u dërgoi një mesazh protestuesve të arrestuar. Ai u zotua se autorët e arrestimit të tyre do të marrin ndëshkimin e merituar ligjor.

“Dua të falënderoj edhe njëherë ata dhjetëra mijëra qytetarë që morën pjesë në mosbindjen civile më të fuqishme që ka njohur Tirana dhe në kushtet më të veçanta. Dua të përshëndes përsëri të arrestuarit tanë në qelitë e diktaturës dhe t’i garantoj se autorët e burgosjes së tyre, e keqtrajtimit, do marrin të gjithë ndëshkimin e merituar ligjor”, u shpreh Berisha.

Kujtojmë se policia e shtetit njoftoi sot arrestimin e shtatë protestuesve. Ata u arrestuan për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”. Ndërkohë që janë proceduar 21 të tjerë mes tyre edhe deputetë.

Gjithashtu Berisha u shpreh i bindur se në zgjedhjet parlamentare të 11 majit PD do të fitojë.

“Duhet të siguroj shqiptarët se PD në këtë përpjekje, me 11 maj do të firmosë së bashku me partitë opozitare, rotacionin e pushtetit dhe fitoren e opozitës në Shqipëri”, tha kreu i PD.

Sali Berisha: Në fakt, prej këtyre mosbindjeve civile që ne kemi zhvilluar periodikisht, prej aksionit të parlamentit që kemi bërë gjatë vitit, prej protestave të përjavshme tek bashkia e Tiranës, prej qëndresës në 333 ditë në Rrugën e Shpresës, demokratet dhe demokratët kanë realizuar para Shqipërisë dhe shqiptarëve të pamundshmen dhe kjo ka terrorizuar, ka tmerruar qeverinë dhe opozitarët e opozitës.

Vetëm falë mosbindjes civile ne e rikthyem flamurin e PD. Vetëm falë mosbindjes civile është arritur të mbrojmë votën e shqiptarëve me tre rezoluta ndërkombëtare që kanë dënuar narkoqeverinë e Tiranës, veçanërisht rezoluta e fundit e IDU, organizatë që kryesohet nga Partia Republikane që vjen në pushtet në SHBA më 20 janar të vitit që vjen.

Në këtë listë të sukseseve, së shpejti do realizojmë qeverinë teknike si një sukses i radhës i opozitës shqiptare dhe si një dëshmi e radhës për papagajtë e qeverisë dhe opozitarët e opozitarëve, se ato që duken të pamundura për ta, PD i bën plotësisht të mundshme. Po kështu duhet të siguroj shqiptarët se PD në këtë përpjekje, me 11 maj do të firmosë së bashku me partitë opozitare, rotacionin e pushtetit dhe fitoren e opozitës në Shqipëri.

Dua të falënderoj edhe njëherë ata dhjetëra mijëra qytetarë që morën pjesë në Nmosbindjen civile më të fuqishme që ka njohur Tirana dhe në kushtet më të veçanta. Dua të përshëndes përsëri të arrestuarit tanë në qelitë e diktaturës dhe t’i garantoj se autorët e burgosjes së tyre, e keqtrajtimit, do marrin të gjithë ndëshkimin e merituar ligjor.