Partia Demokratike është përfshirë ditët e fundit nga një klimë e fortë tensionesh dhe mosmarrëveshjesh. Prej ditësh gazeta "Sot" ka treguar detaje se si Sali Berisha ka filluar pakënaqësitë ndaj Bashës, ndërkohë që dhe marrëdhëniet mes PD dhe LSI janë tensionuar së tepërmi. Por sinjalet e ditëve të fundit janë se po konsolidohet sërish aleanca Meta-Berisha kundër Bashës. Kjo pasi në PD janë duke u krijuar klane që po dalin kundër kreut të PD-së. Këto klane po kundërshtojnë aksionet e kryedemokratit dhe po tentojnë përçarje brenda grupit.

Kur u zgjodh Arta Marku kryeprokurore, opozita sulmoi Parlamentin, ndërkohë që ishte Kryemadhi dhe anëtarët e LSI ata që nisën sulmet. Së fundmi shpërtheu skandali “Xhafaj”, por që sërish opozita dështoi në rrëzimin e qeverisë. Të gjitha këto kanë bërë sërish bashkë Metën dhe Berishën, pasi një burim i tha gazetës se që të dy kanë dyshime se aleanca Basha-Rama vijon.

Në protestën e së shtunës Berisha dhe Kryemadhi ishin përgatitur për revolta, por Basha nuk e lejoi një gjë të tillë. Kjo krijoi irritim si brenda PD, ashtu dhe në radhët e LSI. Media që njihen prej vitesh si mbështetëse të LSI dhe sidomos të presidentit Meta, që më 26 maj kanë nisur një sulm të ashpër ndaj Lulzim Bashës, duke e akuzuar se nuk po reagon si duhet ndaj qeverisë, apo që po toleron Ramën. Frika më e madhe e dyshes Meta-Berisha duket se është se në zgjedhjet vendore aleanca e 18 majit mes Ramës dhe Bashës mund të ridalë në dritë dhe kjo do të sillte fundin e LSI.

Plani i PS është që përmes zgjedhjeve vendore dhe reformës zgjedhore të shkrijë LSI dhe partia e Kryemadhit ka filluar të shqetësohet. Nga ana tjetër, Berisha ka filluar të ngrejë dhe klane brenda PD. Deputetët pranë tij janë shprehur të zhgënjyer me aksionin e deritanishëm dhe në fillim të javës kërkuan bojkot të Parlamentit apo djegie mandatesh. Treshja që e kërkoi një gjë të tillë ishin Flamur Noka, Bardh Spahia apo Endri Hasa, të njohur si mbështetës të Berishës. Por sërish ishte Basha ai që rrëzoi gjithçka. Pra duket qartë se kemi një linjë të Lulzim Bashës, i cili është më demokratik në betejën përballë qeverisë. Dhe nga ana tjetër kemi një klan tjetër që përbëhet nga Berisha dhe LSI e Metës, të cilët po tentojnë dhunë dhe destabilizim në vend, sidomos tani para hapjes së negociatave.

Kriza PD-LSI

Nga dita në ditë po jepen sinjale se bashkëpunimi mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim është në pikiatë. Protesta e 26 majit e tregoi fare qartë, pasi Basha foli i vetëm, ndërkohë që Kryemadhi qëndronte krah Berishës dhe jo krah Bashës. Po ashtu dje u dhanë sinjale në Gjirokastër, ku këshilltarët e LSI bashkuan votat me ata të PS dhe shkarkuan kreun e këshillit që u emërua nga PD.

Por gazeta ka mësuar se përplasja më e madhe që ka nisur mes Bashës dhe Kryemadhit është për zgjedhjet vendore. LSI kërkon që tani garanci se do të hyjnë bashkë në zgjedhje, por baza demokrate nuk e do një gjë të tillë. Po ashtu Kryemadhi ka kërkuar që në disa bashki të dalë ajo me kandidatët e saj dhe të mbështetet nga PD, por Basha nuk e ka pranuar as këtë.

Të gjitha këto kanë bërë që tani të kemi dy linja në opozitë, njësoj siç ndodhi një vit më parë kur u takuan Rama e Basha. Në atë kohë Meta e Berisha u takuan dhe nisën sulmet ndaj Bashës. I njëjti skenar po ripërsëritet. LSI po sulmon përmes medieve pranë saj dhe refuzon bojkotin e Parlamentit, ndërsa Berisha po tenton të çojë kreun e PD drejt ekstremeve duke nxitur bojkote dhe dhunë civile. Ditët e fundit kanë treguar se tensioni në opozitë është kthyer dhe në vijim priten zhvillime s ai takon të ardhmes së aleancës PD-LSI.

/Gazeta "Sot"/