TIRANE- Kryeministri Sali Berisha nëpërmjet faqes së tij në rrjetin social Facebook, ka ftuar fansat e tij t’i japin një mendim për të miratuar apo jo me referendum tre ligjet, jetike sipas tij, për integrimin e vendit në BE. Kreu i qeverisë tha ndër të tjera, se ato bllokohen për qëllime personale nga kryetari i PS-së Edi Rama.

“Sot po ju drejtohem për të kërkuar mendimin tuaj për një vendim jetik për cdonjërin prej nesh, fëmijët tanë, të sotmen dhe të ardhmen tonë europiane. Ky vendim është miratimi me referendum i tre ligjeve që kërkohen për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarë të BE nga Shqipëria. Në tërë historinë e integrimit europian të vendeve ish-komuniste, klikat e përmbysura apo pinjollët e tyre, nuk kanë bllokuar në Parlament ligjet dhe reformat e kërkuara për integrimin e vendeve të tyre në BE sic ka bllokuar, pa asnjë shkak ligjor apo argument logjik por thjesht për interesa personale, z.Edi Rama votimin e tre ligjeve në Parlamentin tonë”, tha Berisha. 

Kryeministri shkruan më tej se, “Duke ç'bllokuar me votën e qytetarëve statusin e vendit kandidat për Shqipërinë, ne sigurojmë qindra e qindra milionë euro investime direkte nga Komisioni Europian dhe sektori privat i BE si dhe dhjetëra mijëra vende të reja pune për të papunët tanë, mijëra e mijëra bursa dhe të drejta studimi në vendet anëtare të BE për të rinjtë tanë. Pas zgjedhjeve të qershorit 2013, është tashmë e sigurtë se z.Rama për mbijetesë politike do përsërisë Ramën e vjeshtës 2009. Prandaj mendoj se për statusin e vendit kandidat duhet të flasin me votën e tyre në një referendum qytetarët shqiptarë. Unë do vlerësoja shumë mendimin tuaj për këtë cështje”, përfundon mesazhi i tij.