Lideri i opozitës, Sali Berisha, zhvilloi këtë të hënë një miting elektoral në qytetin e Durrësit, ku mbajti një fjalim të ashpër ndaj kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij. Berisha u ndal veçanërisht te një takim i fundit i kryeministrit në Durrës, i cili sipas tij, synonte të tregonte mbështetjen e grave për qeverinë, por përfundoi me bojkot masiv.

“Gratë e bojkotuan. Kishte parashikuar aktivitet kombëtar, por dështoi. Nderim për ato gra dhe vajza që nuk morën pjesë,” tha Berisha, duke paralajmëruar se do të publikojë edhe reagimin e Ramës pas këtij dështimi.

Në fjalën e tij, Berisha deklaroi se qytetarët e Durrësit dhe gjithë Shqipërisë janë “njerëz të fitores” dhe se “fryn era e ndryshimit”. Ai akuzoi Ramën për shkatërrimin e familjes shqiptare, emigracionin e të rinjve dhe shtimin e varfërisë.

“Edi Rama, je i pashpresë. Ka dy ditë që nuk fle dhe merret me strategun e fushatës së PD-së, Chris LaCivita. Prit të marrësh vesh se edhe Walt Disney është në mbështetje të opozitës,” deklaroi Berisha me tone ironike.

Në përfundim të fjalës, ai falënderoi qytetarët që i janë bashkuar opozitës dhe bëri thirrje për pjesëmarrje masive në tubimin e radhës në Tiranë.