KAVAJE, 2 qershor 2013 – Partia Demokratike ka organizuar ditën e djeshme një miting në qytetin e Kavajës, prej nga kryeministri ka kërcënuar ata që do guxojnë të heqin monumentin e dy gishtave në Kavajë.

Dy ditë më parë kryebashkiaku socialist i Kavajës, Elvis Roshi, deklaroi se do e heqë këtë monument nga qendra e Kavajës dhe do ia dërgojë me helikopter Berishës përpara selisë së PS-së.

“Ky është sheshi i historisë, monumenti është historik dhe po deklaroj: mjerë ai që do të guxojë ta prekë. Ai do t’u kalojë brezave si dëshmi e burrave dhe grave që bënë historinë e lirisë”.

“Kavaja është gracka ku hoqe çdo maskë, shpalle platformën e urrejtjes ndaj lirive, demokracisë, përmendores së lirisë dhe kombit shqiptar. Erdhe në Kavajë, hoqe maskën, tregove veten i biri i të atit, por Kavaja të njeh mirë. Ty që të tmerron përmendorja e heroizmit të Kavajës dhe shqiptarëve, sikur të imagjinosh një monument të bërë copa, do imagjinosh veten tënde pa këpucë i zbathur duke ecur mbi ato copa”, iu drejtua Berisha Ramës.