Bashkimi i PD Durrës nuk është arritur plotësisht, pavarësisht kalimit të ish-kreut të komanduar Luan Hoti dhe ish-nënkryetarit Arlind Boshku në krah të Sali Berishës ditë më parë.
Pasditen e sotme, deputeti Ferdinand Xhaferaj ka mbledhur strukturat që nuk i janë bashkuar Foltores, mes të cilëve drejtues grupseksionesh dhe anëtarë të PD, për t’i informuar mbi procesin e negociatave dhe dështimin e tyre për të dalë me kandidat të përbashkët në zgjedhjet e 14 majit.
Gjatë fjalës së tij, para pjesëmarrësve në mbledhje, Xhaferaj theksoi se “një PD e ndarë nuk i shërben askujt, për këtë mendoj se ka dakordësi brenda kësaj salle dhe përtej saj. Por, edhe një PD që nuk e mund dot regjimin gjithashtu nuk i shërben askujt. Edhe për këtë jemi dakord të gjithë brenda kësaj salle dhe jashtë saj“.
Xhaferaj deklaroi se është e dukshme tashmë që Berisha arrin të mobilizojë shumicën e anëtarëve të PD-së, por ka dështuar në mobilizimin e të gjithë demokratëve.
”Këto muaj kanë provuar me fakte se z. Berisha, për të cilin çdo demokrat ka mendime komplekse për të mirat, por edhe për të këqijat që i ka sjellë PD-së, arrin të mobilizojë shumicën e anëtarëve të Partisë Demokratike. Por, nqs. Foltorja po dështon të mobilizojë dhe bashkojë gjithë demokratët, si do arrijë të mobilizojë elektoratin e pavendosur? Një figurë si z. Berisha sërish në krye të PD mobilizon shumë mirë dhe shumë fort një pjesë të PD, por kurrsesi nuk mobilizon shqiptarët e pavendosur, të cilët zgjidhjen nuk e shohin më tek e kaluara“.
Por duket se një rrugë për bashkimin e demokratëve mbetet ende e hapur. Të paktën këtë la të kuptohet Xhaferaj kur tha:
“Propozimi ynë, që ka vetëm një synim, të nxjerrë kandidatë të përbashkët që mobilizojnë gjithë votat e demokratëve dhe përtej, është aty. Gara lokale nuk është betejë e brendshme e statuteve të PD, por është betejë për të mundur regjimin dhe ne jemi të gatshëm të japim kontributin tonë për një të mirë të përbashkët”.
M.B.