Kryeministri Sali Berisha shprehet entuziast për zgjedhjet parlamentare të vitit 2013. Në takimin e liderëve të Demokratëve të Qendrës: "Kthimi tek liritë si rruga e daljes nga kriza", në fjalën e tij përshëndetëse, Berisha theksoi se PD do të fitojë sërish një mandat të tretë qeverisës. 

“Shqipëria po shkon drejt zgjedhjeve dhe ju ftoj të vini, të dërgoni vëzhgues në këto zgjedhje. Duket sikur Partia Demokratike e Shqipërisë do të ketë një mandat të ri sepse ka treguar një angazhim të palëkundur dhe besim të fortë ndaj lirisë dhe vlerave që ndajmë së bashku”. Duke u ndalur në temën e lirive ekonomike kryeministri theksoi se Shqipëria është ngjitur shumë vende. 

“Shqipëria gjithashtu gjatë këtyre 20 viteve ka treguar se çfarëdo që ka arritur e ka arritur duke respektuar liritë, dhe mbi të gjitha liritë e tregut. Disa javë me parë një studim i institucioneve shumë serioze tregoi se vendi im përsa i përket lirive ekonomike është ngjitur nga vendi i 32-të në vendin e 12-të. Ne gjithashtu jemi një nga 10 qeveritë më të vogla në botë”. 

Ndërkohë duke u përqendruar tek tematika e takimit kreu i qeverisë bëri thirrje që çdo vend duhet të ndihmojë tjetrin me qëllim që të lehtësojë krizën e vendit tjetër. 

“Kjo krizë do të jetë e gjatë, por ju bëj thirrje juve, miq nga vende të eurozonës dhe Bashkimi Europian që të shqyrtoni mundësitë që mos ta lejoni atë të zgjerohet në zona të tjera. Sado të mëdhenj apo të vegjël që jemi, jemi shumë të ndërlidhur me njëri tjetrin, dhe mund të ndihmojmë, të japim sadopak ndihmë për të lehtësuar krizën në tërësi. Nëse e shikoni këtë krizë do të shihni se më të prekurit prej saj janë të rinjtë. Është një krizë që po gllabëron pjesën më të rëndësishme të energjisë së shoqërisë, që është energjia e të rinjve. Le të shohim të gjithë bashkë çfarë të bëjmë më mirë për ta, si bëjmë përpjekjet më të mëdha për punësimin e tyre, për të përmirësuar situatën e tyre",- tha kryeministri Berisha.

 

AK proteston në Romë kundër Berishës

Aktivistë të Aleancës KuqeZi kanë pritur me protesta kryeministrin Sali Berisha gjatë vizitës së tij në Romë. Në njoftimin për shtyp që kjo forcë politike shpërndau nëpër media thuhet se “dhjetëra aktivistë të Aleancës KuqeZi nga Firenze, Livorno, Pisa, Genoa, Trento, Milano dhe Roma u përballën me shtetasin Sali Berisha i cili tentoi t’i fshihej takimit me Kryeministrin Grek Antonio Samaras. Aktivistët e Aleacës KuqeZi hodhën parrulla anti-qeveritare ‘Berisha për tradhëti, burgim të përjetshëm’ si dhe ‘Ne nipërit e Gjergjit, ti zgjodhe rrugën e Hamzait”. Sipas kësaj force politike protestat e aktivistëve të AK-së i referoheshin aktit të tradhëtisë së shtetasit Sali Berisha ndaj kombit shqiptar siç është sipas Aleancës shpërfillja e vendimit të institucionit më të lartë gjykues, Gjykatës Kushtetuese dhe duke iu nënshtruar vazhdimisht Athinës zyrtare për rinegocimin e kufijve detare me fqinjin tonë jugor. “Aleanca KuqeZi ripërsërit qëndrimin e saj të palëkundur për të mbrojtur çdo centimetër të territorit të Republikës së Shqipërisë nga miqtë e shtetasit Sali Berisha që përpiqen të kushtëzojnë integrimin europian me shitje të territorit dhe hapësirës detare”, thuhet më tej në njoftimin e AK-së.