Deputeti i PD-së, Flamur Noka është shprehur se mosbindja civile dhe aksioni opozitar do të vazhdojnë në Kuvend me nisjen e sesionit të ri parlamentar pas festave të fundvitit. 

Në një konferencë nga selia blu, Noka theksoi se Rama fshihet pas çdo akti për likuidimin e opozitës, ndërsa shtoi se mosbindja civile është e vetmja rrugë që u ka lënë kryeministri për të ndjekur. 

Deputeti demokrat deklaroi se do të vazhdojnë aksionin derisa të gjunjëzojnë dhe rrëzojnë kryeministrin Rama. 

“Askush nuk ka pritur që Rama të bëjë një hap në drejtim të bashkëpunimit me opozitën, është njeriu që fshihet pas çdo akti që bëhet për të likuiduar opozitën. Fshihet pas çdo gjëje të keqe në këtë vend.  

Rruga jonë është shumë e qartë, aksioni opozitar dhe mosbindja civile në Parlament, aksion opozitar dhe mosbindje civile në terren. Rruga e vetme që ne do të ndjekim, nuk ka lënë Rama asnjë rrugë tjetër dhe ne do të vazhdojmë në këtë rrugë derisa ta gjunjëzojmë dhe ta rrëzojmë. 

Përpjekje që po bëhen brenda opozitës dhe bashkimi i PD-së, ka këtë synim, të jemi bashkë në aksion dhe mosbindje civile për të rrëzuar qeverinë. Tek Rama shpreson vetëm mafia dhe krimi i organizuar, si edhe qeveritarët e tij”, tha Noka.