BERAT– Kryeministri Sali Berisha ka marrë pjesë në takimin e organizuar në qytetin e Beratit me rastin e 22 vjetorit të themelimit të PD-së. Nga ky qytet Berisha ka sulmuar sërish kreun e opozitës, Edi Rama, për ndërtesën e shumë përfolur të familjarëve të Linda Bashës.
Berisha akuzoi Ramën se në shkelje të hapur me ligjin, ai ka zënë hapësirat publike për familjarët e tij.
“Nga Berati mijëravjeçar do i them Edi Ramës se duke shkelur ligjet mund t’u ndërtosh pallate, t’u zësh lulishten dhe dritaret gjitonëve të familjes tënde, por nuk mund të bllokosh kurrë rrugën e integrimit. Muri që ke ndritur për të bllokuar statusin do të shembet përfundimisht me 23 qershor”,- ka thënë kreu i PD-së.
Berisha i siguroi qytetarët e Beratit se boshti i jugut do të jetë në fokus të mandatit të tij të ardhshëm, për të bërë të mundur shtrimin e çdo rruge dhe rrugice në këtë qytet.
“Kërkojmë votën tuaj për projektin më të mirë për 4 vjeçarin e ardhshëm, për krijimin e standardeve më të mira në vend. Në dy vitet e ardhshme do përmbyllim infrastrukturën. Po ecim nga Dumreja drejt Beratit. Boshti i jugut është fjala ime. Ata që duan ta shohin Shqipërinë të shtrirë u them se Shqipëria është ngritur në këmbë, vrapon dhe s’do ndalet kurrë”, – ka premtuar Berisha.