Në çeljen e fushatës së Partisë Demokratike për zgjedhjet e 11 majit, ish-kryeministri Sali Berisha sulmoi ashpër Edi Ramën dhe qeverisjen socialiste, duke e akuzuar atë për lidhje me persona të përfshirë në korrupsion dhe krim.

“Njerëz të lirë, imagjinoni krahun tjetër me patronazhistë mëkatarë, imagjinoni Edi Ramën që ka në krah Erion Veliajn, Çyrben, dhe McGonigalin, sa shumë e presin dhe e presin. Rama sonte e ke të vështirë natën, kjo është një natë nga më të veçantat”, tha Berisha, duke theksuar se ky ishte fillimi i një beteje të rëndësishme për Shqipërinë.

Berisha foli për vitet e qeverisjes socialiste, duke i cilësuar ato si “vite të shkretimit” për Shqipërinë. “Këto 12 vite ishin për Shqipërinë, vite të shkretimit nga bij dhe bija. Ishin vite që regjimi dhe mafia bënin gjithçka për të fshirë nga kujtesa veprën tuaj të pavdekshme, Shqipërinë pluraliste”, theksoi ai.

Në fjalën e tij, Berisha i drejtua gjithashtu mbështetësve të tij në shesh, duke i quajtur ata “burrat dhe gratë fisnikë” që kishin bërë sheshin më të bukurin në Shqipëri dhe Europë. Ai përfundoi me një mesazh të fortë: “Shqipëria ngrihet përsëri, dhe jemi ringritur si feniksi për të shkuar drejt fitores.”