DURRES, 28 prill 2013– Ditën e sotme kryeministri Berisha zhvilloi një bashkëbisedim me punonjëse dhe menaxhere (vajza dhe gra të angazhuara në biznes) në Durrës.
Kryeministri i siguroi ato për angazhimin e vazhdueshëm të qeverisë së tij për ngushtimin e pabarazisë gjinore në vend.
Kryeministri akuzoi kryesocialistin Rama se për karrigen e tij bllokoi statusin e Shqipërisë, për anëtarësimin në BE. “Ne bëmë çdo reformë dhe tetorin e kaluar komisioni rekomandoi Shqipërinë për statusin, me kusht që të votoheshin tre ligjet, por ai i bllokoi. bëri edhe pazarin me partinë që ishte në qeveri, por sërish i bllokoi. kjo u faktua edhe në takimin e Luksemburgut”, – tha kryeministri.
Shefi i qeverisë u ndal dhe në incidentin mes kryetarit të opozitës dhe diplomatit Egin Ceka në Vjenë duket thënë: “Ai nuk ka sensin e turpit që ka bërë në një sallë të një vendi të huaj. ky njeri tallet me shqiptaret, por në 23 qershor ai do marrë përgjigjen që meriton”.
Berisha bashkëbisedim me gra e vajza: Pabarazia gjinore, betejë e pandërprerë
Kryeministri Berisha i siguroi gratë dhe vajzat për angazhimin e vazhdueshëm të qeverisë së tij për ngushtimin e pabarazisë gjinore në vend.
Ndërsa nënvizoi arritjet e qeverisë në këtë drejtim, Berisha kërkoi idetë dhe sugjerimet e grave, në mënyrë që siç tha ai, "gjatë katër viteve të ardhshme të kapen horizonte të reja në përpjekjen për barazinë gjinore".
“Themeli i rrëzimit të murit të pabarazisë gjinore qëndron tek liria, tek përpjekja e vazhdueshme e grave, por dhe burrave bashkë me to, për të ngushtuar gjithnjë e më shumë këtë mur, për të ecur drejt një barazie gjinore. Në përpjekjet tona këto vite ky ka qenë një qëllim kryesor. E vërteta është që këto përpjekje sot janë të faktuara sepse kanë dhënë rezultate të prekshme. Në vitin 2005, për shkak të këtij muri të pabarazisë, diferenca në paga mes burrave dhe grave ishte jo më pak se 36%. Kjo në ligj nuk ekzistonte, por diferenca ishte jashtëzakonisht turpëruese, tejkalonte 1/3. Sot ka zbritur në 17.7% diferencat e rrogave mes grave e burrave. Ka mundësi të ulim akoma më shumë këtë diferencë.”- u shpreh kryeministri.
Sipas shefit të qeverisë, programi i PD-së për katër vitet që vijnë do të ketë si synim kryesor ngushtimin e diferencave mes burrave e grave, që siç tha ai, gjenerojnë çdo ditë dhunim të të drejtave të grave dhe vajzave në shoqërinë shqiptare.
Kryeministri i cilësoi spekulime primitive deklaratat e opozitës se do të hiqen taksat për biznesin e vogël. Ai theksoi se qeveria qe drejton do të vazhdojë politikat e zgjerimit të lirisë fiskale, ndërsa mbetet e vendosur për taksën e sheshtë.





