TIRANE, 16 shkurt 2013 – Kryeministri Berisha ka komentuar në profilin e tij në rrjetin social Facebook miratimin e planit të ri urbanistik të kryeqytetit në KKRRT. Berisha nënvizon se plani i ri urbanistik "parashikon zhvillimin e qytetit pa u bllokuar nga Keshilli i Bashkisë, Këshilli Kombëtar i Territorit apo nga ndonjë sekser", ndërkohë që do i japë fund betonizimit të kryeqytetit dhe klientelizmit me lejet e ndërtimit. 

“Të dashur miq! Dje miratuam Planin Rregullues të Tiranës së shekullit të 21-të. Ky Plan, bën të mundur zhvillimin e Tiranës si qytet i shëndetshëm, ekologjik, modern, me shumë qendra, shkolla, parqe, kënde lojrash e terrene sportive, sistem modern transporti. 

Ky është Plani i shanseve të barabarta që zhvillon pronën, duke shpërblyer njëlloj pronarin e truallit dhe pronarin, të cilit toka i mbetet oborr apo lulishte dhe i jep fund politikës së lumturimit të klientëve me leje ndërtimi dhe ndëshkimit të qytetarëve me njollat e ndërtimit. Ai parashikon zhvillimin e qytetit pa u bllokuar nga Këshilli i Bashkisë, Këshilli Kombëtar i Territorit apo nga ndonjë sekser. Plani Rregullues i Tiranës do të shërojë Tiranën nga virusi i betonit që i zhduku më shumë se 4/5 e mushkërive, sipërfaqes së saj të gjelbër”,- shkruan Berisha. 

Ndërkohë, shefi i qeverisë nuk lë pa kritikuar kreun e opozitës Edi Rama, i cili sipas tij mashtroi për 11 vjet me radhë,. 

“Duke filluar nga ky vit, nis rritja e sipërfaqes së gjelbër nga 0.8 m katror që është tani, në 4.2 m katror për frymë, në vitet e ardhshme. Z. Rama mashtroi 11 vjet me rradhë dhe nuk e bëri Planin, sepse në mungesë të tij, ai ishte i lirë të favorizonte e penalizonte këdo e kudo që i përgjigjej ose jo interesave të tij. Z. Basha e bëri atë në 18 muaj. Urime Tiranë, Planin e këtij shekulli! Ne mbajmë premtimet tona! Sb”,- mbyllet postimi i kryeministrit Berisha.