DURRES, 11 qershor 2013 – Kryeministri Berisha ishte i pranishëm gjatë ditës së sotme në një bashkëbisedim me banorët e komunës së Ishmit, ku premtoi përgjysmim të taksave për industrinë e turizmit.

Sipas tij, gjatë katër viteve që vijnë qeveria do të bëjë gjithçka për zhvillimin e turizmit në këtë zonë që ka potenciale të jashtëzakonshme.

“Këto vite ne jemi përpjekur të urbanizojmë komunën tuaj. Kemi rindërtuar rrugë që ju lidhin ju me Tiranën, me Durrësin, me detin dhe jam këtu për t’u zotuar se do të ndërtojmë çdo rrugë të çdo fshati kudo që jeni.

Ne do të trefishojmë mbështetjen për përpjekjet tuaja në bujqësi, blegtori, bimë mjekësore dhe çfarëdo projektesh që keni.

Do të bëjmë gjithçka për shfrytëzimin e potencialeve tuaja turistike. Do të bëjmë gjithçka gjatë katër viteve që vijnë që të garantojmë vaditjen e tokave tuaja.

Ne besojmë se do të bëjmë gjithçka për prodhimin më të madh në fermat tona, për suksesin më të madh të bizneseve tona.

Ne do të përgjysmojmë taksat për të gjithë industrinë turistike, gjë e cila u jep mundësi këtyre biznesmenëve të rrisin më tej investimet e tyre dhe punësimin, të zgjerojnë kapacitetet për mikpritje e fjetje dhe të punësojnë qytetarë më shumë.

Ne kemi hequr taksën e 10%-shit për punonjësit me rrogë nën 30 mijë lekë. Dhe për çdo të ri që do të punësohet në çdo biznes apo fermë, tre vite nuk do të ketë asnjë detyrim fiskal.

E tërë filozofia jonë është besimi tek ju, te forca juaj dhe te energjitë tuaja. Ne bëmë gjithçka që t’ju lehtësojmë”, – është shprehur Berisha.