TIRANË-Kryeministri Sali Berisha përshëndeti sot nga qyteti i Elbasanit 22-vjetorin e themelimit të degës së Partisë Demokratike në këtë qytet. Aktiviteti u zhvillua në Pallatin e Sporteve të Elbasanit.

Kryeministri Berisha theksoi se PD-ja kremton sot krenare këtë festë pasi falë qeverisjes së saj të suksesshme vendi realizoi arritje të mëdha. 
“Ne sot kremtojmë së bashku ditën që ne të gjithë së bashku u shndërruam nga njerëzit e shtypur në njerëz të lirë duke dëshmuar se ne jemi ndryshimi. Ne jemi ndryshimi sepse ne, me kurajon dhe guximin tonë përmbysëm diktaturën e egër komuniste dhe e shndërruam Shqipërinë në vendin e lirisë dhe të drejtave të njeriut. Sot jemi vendi i respektimit të plotë të lirive dhe të drejtave njerëzore. Ne jemi ndryshimi përpara. Pasioni ynë është liria dhe konsolidimi i saj”, tha Berisha. 

Kreu i qeverisë vlerësoi se në zgjedhjet e 23 qershorit, Partia Demokratike do të fitojë zgjedhjet . 
“Ne festojmë sot krenar se ne jemi ndryshimi pasi ne që shembën murin e Berlinit më 23 qershor do të shembim murin e bllokimit. Ne jemi ndryshimi dhe se për ne interesat e qytetarëve janë interesat e para” tha Berisha.

Duke kerkuar voten per mandatin per 4 vite te tjera qeverisje, Kryeministri Berisha premtoi se vitet që vijnë PD-ja do të bëjë të mundur anëtarësimin e vendit në Bashkimieuropian. 

“Kërkojmë votën për 4-vjeçarin tjetër për ta bërë Shqipërinë vendin të zhvilluar, për ta integruar Shqipërinë në Europë. Në këto 6 vite ne ia dolëm që Shqipëria të vlerësohet me vendet e zhvilluara. Ne kërkojmë votën tuaj për të ecur përpara drejt Europës. Europa është projekti ynë, zotimi ynë që ne do ta bëjmë realitet vitet që vijnë”, shtoi Berisha. 

Nën moton “Ne jemi ndryshimi, përpara!”, Berisha nuk la pa përmendur dhe kundërshtarin politik në zgjedhjet 2013, duke e akuzuar se fhesh pasuritë e vëna me konflikt interesi. 

“Ne jemi ndryshimi, kurse ai është mashtrimi. Ne jemi ndryshimi sepse çdo ditë përballemi me lumin e shqetësimeve tuaja, të halleve dhe derteve tuaja, kurse tjetri e ka mendjen tek pallatet e familjes, e ka mendjen tek fshehja e pasurive, tek rezidencat në Malin e Dajtit dhe pronat e familjes së tij. Ne i themi atij se edhe mund të ndërtosh duke shfrytëzuar pushtetin pallate të paligjshme, por në kasafortën e PS nuk mund të futësh pallatet dhe lejet e ndërtimit në konflikt interesi”, tha Berisha. 

Sipas Berishës, Rama në ndryshim nga kryeministri aktual, bën gjithçka vetëm për karrige e pushtet. 
“Ne besojmë tek ju, ne jemi ndryshimi. Ndaj dhe ne, bëjmë gjithçka të ulim taksat, bëjmë gjithçka të lehtësojmë bizneset tuaja, të nxisim iniciativën tuaj, kurse shoku që e ka mendjen tek pallatet e familjes bën gjithçka ku të dojë. Dogji shqiptarët për karrigen e tij, për pushtetin tij, pushtet të cilin nuk do e gëzojë kurrë sa të jeni ju”.