DIBER, 31 maj 2013 – Kryeministri Berisha përuroi sot rikonstruksionin e rrugës së Kalasë së Dodës në Dibër, ku ftoi banorët e kësaj zone që t’i besojnë kësaj qeverie një tjetër mandat. Kryeministri u shpreh i bindur se koalicioni i djathtë do të sigurojë 5 mandate në qarkun e Dibrës.
“Ju bëj thirrje banorëve të kësaj zone, më 23 qershor të votoni për zhvillimin e kësaj zone. Ju jap fjalën se prap kemi rrugë të tjera për të bërë, ferma për të zhvilluar. Ndaj dhe thirrja ime vllazërore, 5 deputetë duke votuar 44. Mandati i artë, mandati i pestë.”- deklaroi kryeministri.
Më tej kryeministri premtoi ndërtimin e rrugëve të reja, në mënyrë që të mos ketë më asnjë komunë apo fshat të izoluar.
“Rruga që inaugurojmë se bashku është pjesë e unazës verilindore juglindore dhe tërësore të Shqipërisë. Për ne nuk d të ketë komunë, nuk do të ketë fshatra të izoluar. Unë e di se prap kemi komuna të palidhura me rrugë, unë ju premtoj atyre banorëve që do të kenë rrugë më të mira. Do të shkurtojmë të gjitha distancat. Do ndërtojmë infrastrukturën, rrugë, kanalizime, shkolla më të mira dhe ata do ndërtojnë jetën e tyre më të mirë. Do bëjmë gjithçka që aty ku jetoni të keni drita, ujë shkolla, rrugë të jetoni si qytetarë me dinjitet të plotë.”- u shpreh Berisha.
Kryeministri ironizoi sërish kryetarin e PS-së Edi Rama duke thënë:
“Ju bëj thirrje socialistëve të Kalasë së Dodës, le ta ftojnë këtu kryetarin Rama, të vijë me autobusin mavi. Sepse erdhi njëherë dhe e pritët mirë, siç dini të prisni ju, dhe u kthye në Tiranë dhe filloi po mburrej sikur kishte qenë në polin e veriut”.





