Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mori pjesë këtë të mërkurë në një iftar të organizuar nga kryetari i Bashkisë Kavajë, Fisnik Qosja, me rastin e Natës së Kadrit. Gjatë fjalës së tij, Berisha e cilësoi këtë natë të shenjtë si një moment reflektimi dhe bekimi për besimtarët myslimanë, duke uruar që sakrifica dhe agjërimi i tyre të pranohet.
Ai vuri gjithashtu theksin tek 26 marsi 1990, kur qytetarët e Kavajës u ngritën kundër diktaturës komuniste, duke shënuar sipas tij revoltën e parë kundër regjimit. Berisha e quajti këtë një moment historik të qëndresës për liri dhe nderoi guximin e qytetarëve të Kavajës që sfiduan diktaturën.
Në përmbyllje, ai shprehu mirënjohjen për trimërinë e 26 marsit dhe shpresën që demokratët ta festojnë Natën e Kadrit në rrethana krejtësisht të ndryshme në të ardhmen.