TIRANE – Në mbledhjen e radhës të Këshillit Kombëtar të Territorit, në qendër të së cilës është shqyrtimi i planit rregullues të Tiranës, kryeministri Berisha theksoi se kryeqyteti kishte nevojë jetike për këtë plan, i cili siç tha ai, ka vendosur në epiqendër qytetarin dhe hapësirat e tij jetësore. 

Kryeministri hodhi akuza të forta në drejtim të ish-kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, duke e cilësuar si “kryetar të babëzisë që synonte vazhdimin e betonizimit të Tiranës”. Berisha sulmoi edhe ish-presidentin Bamir Topi, të cilin e akuzoi për shitjen e karriges së kreut të shtetit, për të përfituar 3 leje ndërtimi në Tiranë nga ish-kryetari Rama. 

“Vitet e fundit planin për të cilin kishte nevojë jetike kryeqyteti e bllokoi tërësisht babëzia. Si në asnjë qytet tjetër të Europës, kryeqyteti i Shqipërisë ra pre e babëzisë. Kjo është e vërteta, nuk ka patur asnjë faktor tjetër që ka lënë kryeqytetin e Shqipërisë pa plan rregullues përveç babëzisë. Ndaj dhe ish-kryetari i bashkisë do të regjistrohet në historinë e Shqipërisë si kryetar i babëzisë. Përgëzoj Bashkinë e Tiranës për guximin e madh që treguan për të anuluar planin që ishte bazuar kryekëput në politikën e ndëshkimit dhe shpërblimit. Shpërbleheshin dhe korruptoheshin zyrtarë të lartë përfshirë kryetarin e shtetit që shiti karrigen për 3 leje ndërtimi.”- u shpreh kryeministri Berisha.

Ndërsa përgëzoi ekipin e ri të Bashkisë së Tiranës, Berisha tha se zgjedhjet e 8 majit mund të konsiderohen si një referendum që anuloi planin e vjetër të Tiranës, dhe rrëzoi bashkë me të edhe kryetarin Rama. 

“Ekipi i ri pati guximin qytetar ta anulojë planin e vjetër, para se qytetarët të thirreshin në votime. Fakti që qytetarët e Tiranës rrëzuan me votën e tyre planin e ndëshkimit dhe shpërblimit dëshmoi drejtësinë e vendimit që mori ekipi i ri i Bashkisë. Ky plan sot i kthen qytetarit qytetin, ky plan ka vendosur në epiqendër qytetarin e Tiranës, hapësirat e tij jetësore, mjediset e tij social-kulturore, rrugët e tij, për këmbësore, për ciklistë dhe synon në tërësinë e tij që mbitokën t’ia lerë qytetarit dhe nëntokën parkimit dhe trafikut.”- deklaroi kryeministri. 

Më tej shefi i qeverisë informoi se miratimi i planit të ri të kryeqytetit do të shoqërohet me ndryshime ligjore, të cilat parashikojnë kalimin e kompetencave të KKRTSH-së për territorin tek kryetari i bashkisë dhe këshilli teknik i bashkive.

“Nuk mund të merret KKRTSH dhe kryetari i saj, kryeministri i vendit, me probleme të zhvillimit të qytetit. Kjo mbledhje hap një kapitull të ri, dhe shkëputet nga një trashëgimi aspak e përshtatshme”- u shpreh kryeministri Berisha.

BASHA: PLANI URBANISTIK, TRANSPARENT E GJITHËPËRFSHIRËS 

Në këtë mbledhje, kryebashkiaku Basha u shpreh se sot do të miratohet plani i Tiranës metropolitane. 
“Pas 23 vitesh ne vijmë para këtij këshilli për vendimmarrjen finale, për të shfuqizuar planin e fundit në fuqi atë të vitit 1989”, tha Basha. 

Për vënien në zbatim të planit të ri urbanistik të kryeqytetit, Basha u shpreh se udhëhiqet nga dy parime, transparenca dhe gjithëpërfshirja. “Ky është plani i shekullit të 21”, tha Basha më tej. 

Do bëjmë të mundur që qytetarët e Tiranës ta gëzojnë atë. Për hartimin e tij janë përfshirë të gjithë ekspertët e këtij vendi nga ekonomia, inxhinieria etje”, theksoi ai.