Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në fjalën e tij në Kuvend u shpreh se nëse i ndodh gjë kryebashkiakut Erion Veliaj, apo prokurorëve dhe gjyqtarëve të çështjes, përgjegjës do të mbahet kryeministri Edi Rama. Berisha tha se Rama është i gatshëm të ndërmarrë çdo akt pasi vetë sipas tij “ka marrë fund përfundimisht”.
“Garantoj se gjëja më e vogël po ndodhi në këtë proces, do përgjigjet personalisht Edi Rama, qoftë ndaj Velisë, qoftë ndaj Velicës, ndaj prokurorëve, ndaj gjykatësve. Sepse ky tërbim, kjo frikë e tmerrshme, ky shkallmim që ka kapur Edi Ramën është shumë i rrezikshëm për momentin për vendin. Ky i papërgjegjshëm është i gatshëm të ndërmarrë çdo akt pasi vetë ka marrë fund përfundimisht.
Le t’i fshijë 100 herë fotot e Aleksis Soros, Juri Kim apo Antoni Blinken nga mediat e tij se tregon që vetëm është një sfaçato, se ato i ka në zemër dhe është i damkosur në mënyrë përfundimtare si kukull e Sorosit. Dhe mendoni ju se do paguajnë shqiptarët, do paguajnë për kukullën e Sorosit? Zonjë, ligji për ndalimin e çdo veprimtarie të Xhorxh Sorosit në Shqipëri dhe fonacionit të tij, e ndalimit të të gjitha organizatave sorosiane që të kenë çfarëdolloj bashkëpunimi me institucionet shtetërore, është një emergjencë.
Duhet të sillet këtu dhe të votohet. Përndryshe ku është Klotilda që ankohej për prokurorin? Ja sa ka lënë prokurori pa futur në dosje për Velicën. Se Velica, po të futeshin edhe këto që i ka përjashtuar prokurori, ia kalonte edhe Lajla Asadit. Lajla shkoi në Moskë, atje ia numëruan dhe i doli 1 milion euro gardëroba. Velicës i doli gardëroba 867 mijë euro. Po këto nuk i ka futur prokurori o ish-pastor. Ja ku i ke.”, tha Berisha.