Ish-kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e sotme të kryesisë ka deklaruar se është koha për betejë dhe kjo gjë sipas tij, kërkon sakrifica nga çdo demokrat.
Berisha theksoi se mesazhi i tij është që demokratët të shpërndahen në të gjithë vendin në një dialog emergjence, pasi sipas tij Rama nuk do të ndalet në procesin e asgjësimit të opozitës.
“Tani është koha për betejë, tani është koha të ngrihemi, cilido që mendon për demokracinë në këtë vend. Ne duhet të ngrihemi. Ne nuk mund të pranojmë. Askush të mos e lidh me këtë që ndodhi. Kjo është dëshmi tjetër e radhës, e atyre faktorëve që na detyruan të shpallim betejën pa kthim. Beteja pa kthim kërkon sakrifica. Unë jam i bindur se problemet me të cilat përballen demokratët janë shumë të dhimbshme, janë të thella dhe të mëdha. Zgjidhje tjetër nuk ka përveç mobilizimit, ngritjes në këmbë dhe betejës. Përndryshe sa më shumë të zvarritet, aq më e thellë bëhet kriza aq më e thellë bëhet situata.
Mesazhi im është që të shpërndahemi në të gjithë vendin në një dialog emergjencë. Ky nuk ndalet në procesin e asgjësimit të opozitës por edhe opozita nuk do të ndalet kurrë në të gjitha format për të mbrojtur demokracinë dhe interesin kombëtar. Nuk ndodh kurrë në botë që të përdoret një samit kundër gjysmës tjetër të kombit, nuk përdoret një vizitë për të penguar liberalizimin e vizave. Ne duhet të shpërndahemi në një takim me bazën. Parlamentarët e kanë filluar betejën në Parlament, kur Partia Demokratike do të qëndrojë derisa shqiptarët të votojnë të lirë.