TIRANE, 20 mars 2013- Kryeministri Sali Berisha inauguroi sot paradite gjimnazin, “Isa Boletini” në komunën Paskuqan, të Tiranës. 

Në fjalën e tij përshëndetëse, kreu i qeverisë tha se investimi sot në shkolla do të sjellë më shumë nxënës të arsimuar dhe si rrjedhojë, më shumë punësim e mirëqënie nesër. 

“Një i shkolluar jo vetëm ka shance më të mëdha, por garanton një vend pune 2 herë më të paguar sesa tjetri. Ndaj dhe ne do bëjmë gjithçka që Shqipëria të ecë me shpejtësi drejt përqindjeve më të larta të qytetarëve që do kenë mbaruar shkollën e mes dhe të lartë, e kështu ecim drejt një punësimi të sigurt të qytetarëve shqiptarë. Kemi bindjen se çdo qindarkë e investuar në arsim për kualifikimin e mësuesve është investim i sigurt për të ardhmen tonë”, u shpreh Berisha. 

Kryeministri theksoi se deri tani janë ndërtuar 1 300 shkolla, ndërsa shtoi se në 4 vitet e ardhshme, do ndërtohet dhe rindërtohet çdo shkollë, kudo ndodhet. 

Po kështu kreu i qeverisë vuri në dukje pasurimin e shkollave me internet. 
“Sot të gjitha shkollat e vendit janë me internet. 4 vitet që vijnë jemi të vendosur që jo vetëm cdo shkollë, por edhe cdo klasë të ketë internet, laboratore moderne, me qëllim rritjen e numrit të nxënësve me arsimin profesional”. 

Gjimnazi i ri "Isa Boletini" ne Paskuqan eshte nje investim me vlerë rreth 180 milionë lekë, dhe nje projekt i realizuar në kuadër të programit CBA (Cilësi dhe Barazi në Arsim), financuar nga Qeveria shqiptare, Banka Botërore, Banka e Këshillit të Europës dhe Banka Europiane e Investimeve). 
Shkolla, e cila ka një kapacitet për 1 mijë e 400 nxënës, aktualisht ka 1 mijë e 350 nxënës. Ajo ofron për ta mjedise mësimore e sportive të një niveli të lartë bashkëkohor. Shkolla ka 24 klasa, 4 laboratorë (informatikë, fizikë, kimi, biologji), bibliotekë, palestër moderne të mbyllur si dhe mjedise të tjera ndihmëse. 

Sipas qeverise, investimet në komunën e Paskuqanit gjatë periudhës 2006-2013 kanë qenë të shumta, duke përfshirë disa sektorë, si në infrastrukturë, shëndetsi, arsim, ujësjellës kanalizime, etj. Këto investime arrijnë shifrën e 1.8 miliardë lekëve ose afërsisht 18 milionë dollarë dhe janë të konkretizuara në ndërtimin e 21,8 km rrugë, 4,9 km kanalizime, 4 ujësjellësa, 3 shkolla (të reja) 1 shkollë (e rikonstruktuar), 2 qendra shëndetësore (të reja) dhe 1 qendër shëndetësore e rikonstruktuar.