PËRMET, 19 prill 2013- Kryeministri i vendit Sali Berisha gjatë inaugurimit të shkollës 9-vjeçare “Meleq Gostinishti” në Përmet, ka sulmuar opozitën duke thënë se me deklaratat e saj fyen dhe cënon nxënësit e shkollave në vend. 

Shefi i qeverisë tha se Partia Socialiste ka ngelur 100 vjet mbrapa pasi nuk mund të fyejë dhe cënojë. “Ata që ju krahasojnë apo ju shpallin më të padijshëm se mësuesit tanë 100 vjet më parë, unë ju këshilloj t’i ftoni në një orë mësimi dhe, para se të flasin për gjëra të pamend si këto, të ulen e të ndjekin orën e mësimit, mënyrën se si e organizoni ju, të shohin shkallën e përgatitjes tuaj. Për sa i përket cilësimit se mësuesit tanë qenkan më të padijshëm se ata që ne kemi pasur 100 vjet më parë, të bësh një deklaratë të tillë do të thotë se të ka mbetur ora 100 vjet mbrapa dhe jo vetëm të fyesh mësuesit e sotëm, por të fyesh edhe ata që themeluan me vuajtje e sakrifica të mëdha arsimin tonë”, tha Berisha. 

Kryeministri duke përmendur arritjet e qeverisë në fushën e arsimit tha se janë ndërtuar mbi 1300 shkolla teksa shtoi e qeveria do bëjë gjithçka që çdo fëmijë të ndjekë shkollë me qëllim arritje ne synimit ‘zero tolerancë ndaj analfabetizmit’. 

"Ne do të bëjmë gjithçka që çdo fëmijë të ndjekë shkollën. Zero tolerancë ndaj analfabetizmit. Sot Shqipëria ka ndër nivelet më të larta në Evropë dhe në botë në ndjekjen e shkollave. Sot Shqipëria ka nivelet më të larta të kalimit nga arsimi i detyrueshëm në arsimin e mesëm, 92 përqind të nxënësve. Sot Shqipëria ka ndër nivelet më të larta të kalimit nga shkollat e mesme në universitete, 72 përqind. Sot Shqipëria ka nevojë të orientojë sistemin e saj arsimor drejt arsimit profesional. Arsimi profesional duhet të marrë të gjithë dimensionet, në mënyrë që ne të përshtatemi më mirë me tregun dhe kushtet e tij. Kam kënaqësi të veçantë të konstatoj këtu se në dy vitet e fundit në qarkun e Gjirokastrës janë shënuar hapa të mëdhenj përpara në drejtim të ridimensionimit të arsimit profesional. Unë ju garantoj se qeveria do të bëjë gjithçka për zhvillimin e suksesshëm të këtij dimensioni jetik për arsimin tonë", theksoi Berisha.

INAUGURIMI I RRUGES PICAR-GOLEM

Ndërkaq, po sot kryeministri Berisha ka udhëtuar edhe drejt Gjirokastrës, për të inauguruar fillimin e punimeve të rrugës Picar-Golem. 

“Ndërtimi i rrugëve u bë i mundur nga rritja ekonomike”, tha kryeministri Berisha. 

Nuk munguan nga ana e tij as ironia drejtuar kreut të selisë rozë, Edi Ramës. 
Sipas kryeministrit, “Rama ka psikologjinë nga bunkeri i bllokut ku është rritur. S’mund të jesh edhe qeveri edhe opozitë”, shtoi ai. 

Duke iu referuar koalicionit me LSI, Berisha theksoi se, ‘Halat e ngjalave do t’u ngelin në grykë”.