PESHKOPI, 24 maj 2013– Kryeministri Berisha ka inaguruar sot gjimnazin e ri “Said Najdeni”, në Peshkopi.

Në fjalën e tij, kreu i qeverisë theksoi se për qeverinë dhe Partinë Demokratike arsimi përbën një nga përparësitë më madhore të programit të saj.

“Arsimi përbën një nga përparësitë absolute e më madhore të programit të saj. Shqiptarët do kenë të ardhmen që metirojnë” tha kryeministri.

Gjithashtu kryeministri Berisha ka akuzuar kryesocialistin Rama se po kërcënon arsimtarët për shkak të bindjeve të tyre partiake.

“Alternativa tjetër është e provuar, zotëria i quan nxënësit dele dhe mësuesit më të padijshëm se 100 vite më parë. Iu thoshte qytetarëve të Tiranës nuk ndërtova shkolla se nuk kasha para, 21 milionë euro kredi të garantuar ka pasur nga qeveria për shkolla. Me gjysmën e këtyre parave bashkia Kamëz ka ndërtuar 13 shkolla, ndërsa ajo e Tiranës 7, sepse shkollat kërkonin troje, por trojet i merrnin pallatet e miqëve të klientelës. Të heqë dorë nga ofendimet kolektive. Ditën tjetër i thotë mësuesve do shihni hekurat.Dje i shkatërruar nervash ka marrë në telefon drejtoreshën e njërës prej gjimnazeve më të mëdha në kryeqytet me kërcënimet më absurde” shtoi Berisha.

Ndërsa duke iu drejtuar mësueve, Berisha tha se ata janë të lirë të mbështesin forcën politike që ata besojnë.

“Mësues e mësuese, çfarëdo bindje që keni, jeni të lirë mbështesni partinë që ju besoni, ju nuk jeni qenie laboratorike. I kërkoj zotit Rama të marrë në telefon zonjën që ka kërcënuar dhe të kërkojë të falur. Ti je mësuar me disfata, ato meriton, trego respekt për shkollën e arsimin. Disfata e radhës e pret, por ti je mësuar me disfatat. E vërtetë është që arsimi ka të meta por ato nuk zgjidhen me të shara e mallkime, ato zgjidhen më përkushtim, përpjekje dhe motivim” shtoi Berisha.