POGRADEC, 2 qershor 2013 – Kryeministri Sali Berisha zhvilloi sot një bashkëbisedim me banorët e qytetit të Pogradecit në kuadër të fushatës elektorale. 

Në nisje të bisedës një prej banorëve i shprehu kryeministrit komplimentat për gjendjen shëndetësore. 

“Se ai kundërshtari ju citon si gjyshi, por ju qenkeni marshallah, ca gjyshi thotë ai”.

Të qeshurave që mbërthyen sallën iu bashkua dhe kryeministri që e cilësoi më pas kundërshtarin politik me termin 'shok' që vuan nga obsesioni.

“Shoku është obsesiv, ai vuan nga këto fiksime, por unë jam mjek e kuptoj. Se njëherë thoshte që unë fluturoj me helikopter në gjithë Shqipërinë dhe bëj fushatë. Por unë kam thënë që nuk përdor mjetet e punës për fushatë. Unë udhëtoja me një makinë të marrë me qera nga nje kompani dhe që paguhej nga PD. Njëherë kishte ditëlindjen dhe unë i shkrova, Zoti iu shtoftë rininë viteve tuaja. Ja thashë me dashamirësi, por i duhej ajo që i thashë”. 

Taksat

Kryeministri Sali Berisha kritikoi sot qëndrimet e Partisë Socialiste për çështjen e taksave. Berisha theksoi se Rama është amator në çështjen e ekonomisë dhe ka ide të gabuara. 

Ai u ndal në premtimin e PS për heqjen e taksave për 95 për qind të popullsisë, duke u shprehur se gjithë taksat do të paguhen nga vetëm pesë për qind e popullsisë.

“U thotë shqiptarëve se 95 për qind e taksave do të ulen. Ka logjik ky njeri? Cili është rregulli i përgjithshëm në botë; të gjitha janë aksionerë në shtetin e tyre. Të gjithë paguajnë diçka për arsimin, rrugët e të tjera. Pyeteni pak sesa do ti ulë taksat? Por ku do t’i marrë këto para që do i ulë? Këto do t’ja u marrë atij 5 për qindëshit që ngelët. Këta do të mbajnë mbi supe Shqipërinë”, tha Berisha. 

Kryeministri u shpreh se nëse tatohen vetëm 5 për qind e popullsisë, që janë përfaqësuesit e biznesit, ata do të largohen nga vendi.

“5 për qind, sado që mendon se do ti tatosh, ti vetëm shkakton largon e tyre. Në 2005-ën dhjetëra biznesmenë i kam gjetur në Bullgari”, tha Berisha.