TIRANË – Kryeministri Berisha u nis sot për në Bruksel, ku do të marrë pjesë në punimet e Samitit të zgjeruar të Partive Popullore Evropiane, i cili do të zhvillojë punimet ditën e enjte më 13 dhjetor 2012.

Në Samit, axhenda e të cilit fokusohet tek përgatitjet për mbledhjen e radhës së Këshillit Europian, marrin pjesë kryetarë shtetesh dhe kryeministra të vendeve anëtare të BE dhe atyre joanëtare, kryetarë të partive opozitare në Evropë, anëtarë të Partive Popullore Evropiane, me pjesëmarrjen edhe të Presidentit të Këshillit Evropian, Herman Van Rompuy dhe Presidentit të Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso.

Presidenti i PPE-së, Wilfried Martens është mikpritësi i Samitit, ndërsa pjesëmarrës në të janë Kancelarja gjermane, Angela Merkel, Kryeministri i Spanjës, Mariano Rajoy, Kryeministri i Luksemburgut, Jean Claude Juncker, Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, Kryeministri i Suedisë, Frederik Reinfeld, Kryeministri i Portugalisë, Pedro Passos Coelho, Kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansa, Kryeministri i Greqisë, Antonis Samaras etj.