DURRES, 9 prill 2013- Kryeministri Berisha është takuar sot me fermerë të prodhimit të qumështit në Shijak, të cilëve iu premtoi se zhvillimi rural dhe ai i sektorit të bujqësisë janë përparësi për qeverinë e tij.
Ata që jetojnë në fshat do kenë rrugë, shkolla, drita dhe shërbim shëndetësor njësoj si në qytet, premtoi kryeministri më tej.
“Për qeverinë time dhe Partinë Demokratike zhvillimi i qëndrueshëm rural, i bujqësisë dhe sektorëve të saj mbeten një përparësi absolute. Projekti ynë Shqipëria vend i zhvilluar kalon nga zhvillimi i fshatit shqiptar. Ne mbidyfishuam pensionet e fshatit, kemi angazhuar më shumë se 60% të të gjitha investimeve, sepse ajo e tëra ishte Shqipëria e baltës. Fillimi i vitit 2006 kur shkova në Peqin, rreth 40 km nga Tirana, premë një shirit që lidhte komunën e Pajovës me rrugën kombëtare. Ai ishte segmenti i parë që nuk ndodhej në Tropojë, Malësi të Madhe por midis Tiranës e Elbasanit fare afër. Ne kemi shtruar mbi 8 mijë km rrugë në të gjithë vendin, do t’ju ofrojmë të njëjtën infrastrukturë si në qytet, rrugë shërbim shëndetësor, drita, shkolla moderne”, tha ai.
Ndër të tjera, kryeministri tha se Shqipëria do arrijë prodhimin botëror në bujqësi duke e 10-fishuar atë.
“Duhet ti besojmë projekteve me të cilat mund ta bëjmë Shqipërinë shumë më të begatë. Gjatë 4 viteve do 3-fishojmë mbështetjen për fermerët, hoqëm taksat për çdo material importi”, tha ai.
Kryeministri edhe gjatë këtij takimi sulmoi programin e Partisë Socialiste, e cila premton heqjen e TVSH. Sipas Berishës, alternativa e PS i rrënon prodhimet e fermerëve shqiptarë.
“Alternativa mavi thotë se do heqë TVSH për qumështin, po i hoqëm TVSH qumështit të vendeve të tjera konkurrenca bëhet e pandershme. Ne s’kemi fuqi t’i japim fermerit 3 euro në ditë për lopët. Ideja mavi për të hequr TVSH për qumështin, grurin është si të rrënosh fermerët. Kjo nuk do ndodhi. Prandaj e kam thënë ti lëmë ata me ngjala ne të vazhdojmë programin tonë. Unë jam sot këtu për të dëgjuar zërin tuaj, kemi marrë mendimin e ekspertëve më të mirë po do ishte shumë i mangët pa sugjerimet tuaja. Do bëjmë gjithçka që ju të keni fitime më të mëdha”, tha ai.
Duke folur për ndërtimin e infrastrukturës rrugore, Berisha tha para fermerëve se ka një koncept tjetër nga PS, e cila siç tha ai kishte krijuar konceptin e asgjësë për disa rrugë.
“Qeveria e mëparshme ndërtoi konceptin e rrugëve të asgjësë. Po të shihje hartën e tyre Shqipëria po shkonte drejt asgjëje, koncepti ynë është se nuk ka tokë pa fryte në Shqipëri, në çdo metër katrorë mund të nxjerrësh prodhim”, tha ai.
Përmirësimi i sistemit të vaditjes si edhe kualifikimi i fermerëve ishin ndër premtimet e tjera të kryeministrit Berisha për fermerët.





