Ish-kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar sot një takim në Shkodër bashkë me kandidatin e “Bashkë Fitojmë” Bardh Spahia.
Berisha i është drejtuar kandidatit të PS-së për këtë bashki, Benet Beci, duke i bërë thirrje që të dalë krahas Bardh Spahisë dhe të përballen përpara qytetarëve dhe pyetjeve të tyre.
“Karshi Bardh Spahisë kandidon përfaqësuesi i Edi Ramës, e meriton këtë që po bëni ju.
Megjithatë kjo është njëra anë, tejtra është ftesa ime. Benet hajde këtu bashkë me Bardh Spahinë dhe dilni para qytetarëve dhe jepini llogari për çdo gjë. Përgjigjuni gjithë pyetjeve të qytetarëve të Shkodrës.
Me këtë ti dëshmon se ke ndjenjën e përgjegjësisë dhe shlyen deri diku një detyrim. Në atë parlament për ato vite nuk e shqipërove një herë fjalën Shkodër dhe shkodran. Benet, vetëm për këtë, kam bindje se as gjysma e Becëve nuk do të votojnë ty.
Benet, kandidimi yt për Edi Ramën që ka pushtetet si Enver Hoxha është gabimi fatal i jetës tënde. Shpirti yt e di çfarë të detyroi të bësh këtë gabim fatal. Di diçka edhe Tom Doshi për këtë detyrim.
Meqë u ndala tek Toma, shko tako Senaden, Namikun, zonjën Hafizi, si u flakën si limon i shtrydhur.
Benet, edhe një herë të them, ke bërë gabimin e jetës tënde. të pash një ditë në shesh dhe kishe vendosur një ngjyrë tjetër.
Naiv je treguar, por nënat shqiptare u tregojnë fëmijëve përrallën e ujkut që lyen këmbët me miell. ti nuk del edhe për një arsye tjetër që është detyrim.
Në çdo vend qeveritarët duhet të dalin para qytetarëve. Ty nuk të lë Edi Rama sepse ai nuk del dot me Sali Berishën përballë. Po e ftoj në çdo takim dhe ikën”, u shpreh Berisha.