Nga Strasburgu, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbajtur një fjalim të gjatë përpara grupit konservator në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, ku akuzoi kryeministrin Edi Rama për kapjen e shtetit dhe përdorimin e parave të krimit në zgjedhje.
Berisha deklaroi se Shqipëria është i vetmi narkoshtet në Europë, dhe se Rama po kërkon mandatin e katërt duke arrestuar liderët e opozitës, përfshirë edhe vetë Berishën, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, Ilir Metën, Fatmir Mediun, Fredi Belerin dhe Ervin Salianjin.
Sipas tij, 12 miliardë euro të krijuara nga trafiku i kanabisit janë futur në ekonomi përmes lidhjeve me kartele si ai i Sinaloas, duke ndikuar drejtpërdrejt në zgjedhje dhe sistemin e drejtësisë. Ai foli edhe për komunikime të enkriptuara mes grupeve kriminale dhe njerëzve pranë qeverisë, të zbuluara nga autoritetet europiane.
Berisha akuzoi Ramën se po blen vota me bonuse pensionistësh dhe para të drogës, ndërsa paralajmëroi se kjo situatë nuk është vetëm një rrezik për Shqipërinë, por për të gjithë kontinentin europian.
Në përfundim, ai kërkoi ndërhyrje dhe reagim nga institucionet europiane, duke theksuar se shqiptarët nuk kanë më zgjidhje tjetër përveçse të përballen me atë që e cilësoi si një “narkodiktaturë”.