DURRES, 3 qershor 2013- Sukthi ishte ndalesa e radhës elektorale e kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, ku në fjalën para mbështetësve të tij, ai premtoi vazhdimin e investimeve, që sipas tij, kanë ndryshuar këtë zonë dhe do të vazhdojnë ta ndryshojnë drejt transformimit të saj në një nga zonat urbane më të zhvilluara të rajonit.

“Ne premtojmë se në katër vitet që vijnë do vazhdojmë të jemi avokatët tuaj në infrastrukturë, shkolla, qendra shëndetësore, ujësjellësa, energji. Janë ndërtuar dhe rindërtuar shumica e shkollave. Fermerët e Sukthit kanë modernizuar fermat e tyre”, tha Berisha.

Kryeministri premtoi lidhjen me rrjet rrugor modern të skajeve të kësaj bashkie, si dhe furnizim me ujë për cdo fshat që përfshin kjo njësi e qeverisjes vendore.

“Ne në katër vitet që vijnë do t’i japim Sukthit infrastrukturën më moderne. Do lidhim brigjet e Sukthit me kepin e tij, me autostradën kombëtare në mënyrë direkte. Do ndërtojmë ujësjellës në cdo fshat të kësaj bashkie, shkolla të reja në të gjithë territorin e saj. Katër vitet që vijnë për fermerët e Sukthit, për të cilët kemi financuar rreth 100 ha vreshta, dru frutorë etj, ne do të 3-fishojmë grantet. Sukthi do të ketë tregun e vet modern dhe terrenet sportive të tij dhe do shndërrohet në një nga qendrat urbane më të zhvilluara të këtij rajoni”, tha Berisha.