Në konferencën e përjavshme me mediat, këtë herë të zhvilluar në Gjirokastër, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha është shprehur se sistemi TIMS dhe MEMEX u shkatërrua me qëllim që të fshihte gjurmët e lidhjes së qeverisë me trafikantët.

Po ashtu gjatë fjalës së tij Berisha tha se janë zhdukur gjurmët e udhëtimeve të Taulant Ballës me trafikantë. Sipas Berishës Balla ka udhëtuar 54 herë me trafikantë.

“Kurrë ndonjëherë Shqipëria nuk ka qenë më e pasigurt se këto ditë. Vetëm shkatërrimi i sistemit të TIMS dhe MEMEX. Qëllimi ishte të zhdukeshin gjurmët e lidhjes së qeverisë me trafikantët. Të zhdukeshin gjurmët e udhëtimit të Taulant Ballës 54 herë me trafikantë.
Një polic që ishte një lloj pengese, u largua në mënyrën më mafioze nga detyra e tij. Shqiptarët nuk morën vesh asnjë argument se pse kryepolici i vendit u largua nga detyra, përveç lidhjeve të Çuçit me Ramën. Përveç rënies së tij në hekurin e nxehtë. Ndaj dënoj me ashpërsi këtë akt. Dënoj qëndrimin, fshehjen që bën Edi Rama, Bledi Çuçi”, tha Berisha.

Berisha gjithashtu tha se Rama ka shtrirë tërësisht kontrollin ne çdo qelizë, ndërsa shtoi se siguria në vend është më në rrezik se asnjëherë.

“Ka çuar tani një zëdhënës të vetin, se atë shefin e SHISH e dërgoi për shkollim, se paska qenë pa shkollë ky Helidoni, dhe çoi këshilltarin e tij që nuk është marrë kurrë me shërbimet inteligjente. Pra, ka shtrirë tërësisht kontrollin ne çdo qelizë. Siguria është më në rrezik se asnjëherë. Shkalla e papërgjegjëshmërisë së tij është më e madhe se çdo herë. Pas çdo firme që vendos është një vjedhje e re. Pas çdo ligji që sjell në parlament, ka një grup interesi”, përfundoi ai.