TIRANE – Kryeministri Berisha përmes një postimi në faqen e tij në në rrjetin social Facebook bëri të ditur se nesër gjatë mbledhjes së qeverisë do të miratohet teksti për gazsjellësin Trans Adriatik, TAP. 

Marrëveshja do të nënshkruhet midis tre vendeve Shqipërisë, Italisë dhe Greqisë, thotë Berisha, ndërsa e quan atë një marrëveshje historike, nga e cila pritet të krijohen rreth 20 mijë vende të reja pune.

“Ky është projekti më i madh në historinë e zhvillimit dhe të bashkëpunimit ndërkombëtar të vendit tonë. TAP sjell gazin nga deti Kaspik, Azerbajxhan, kalon në rreth 200 km në territorin tonë dhe përfundon në Itali. Investimi në territorin tonë për ndërtimin e tij është rreth 2 miliardë dollarë dhe krijohen, direkt dhe indirekt, rreth 20 mijë vende të reja pune. Ky projekt shndërrohet në një faktor madhor bashkëpunimi të ngushtë mes të gjitha vendeve nëpër të cilat ai kalon. Ai bën të mundur gazifikimin e plotë të vendit, çka nënkupton për familjet shqiptare ngrohje dhe gatim me çmim shumë më të arsyeshëm se sa sot. Shqipëria me ndërtimin e TAP-it merr një rëndësi nevralgjike për energjinë në rajon”,- shkruan në postimin e tij kryeministri shqiptar.