Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi sot një takim elektoral në qytetin e Durrësit, ku prezantoi kandidatët për zgjedhjet e 11 majit së bashku me drejtuesin politik të qarkut, Oerd Bylykbashi. Gjatë fjalës së tij, Berisha akuzoi qeverinë për keqmenaxhim të sistemit shëndetësor dhe premtoi ndryshim të menjëhershëm nëse PD vjen në pushtet.

Berisha deklaroi se shqiptarët nuk kanë akses të plotë në analizat mjekësore, pasi sipas tij, për 10 ditët e fundit të çdo muaji laboratorët ndërpresin shërbimin me urdhër, për shkak të skemave korruptive me koncesionin e check up-it.

“Shqiptarët bëjnë analiza vetëm 20 ditët e para të muajit, të tjerat nga xhepi. Turp! Hajni e paimagjinueshme,” u shpreh ai, duke shtuar se kjo praktikë do të marrë fund në 100 ditët e para të qeverisjes së tij.

Kreu i opozitës theksoi gjithashtu se lista e barnave të rimbursueshme do të unifikohet me atë të Italisë, duke siguruar se asnjë ilaç nuk do të futet në treg nëse nuk qarkullon më parë në dy vende të Bashkimit Europian.

“Ne nuk barazohemi dot në paga me Italinë, por në hallin e jetës do barazohemi. Ilaçet që paguajnë ata, do i paguajmë edhe ne,” tha Berisha.

Ai akuzoi gjithashtu emra të afërt me qeverinë si Vilma Nushi për përfitime nga check up-i dhe përjashtimin e pensionistëve nga ky shërbim.

“Dy herë në vit pensionistët do kenë analizat falas,” premtoi Berisha, ndërsa u zotua se firmat përgjegjëse për abuzime me koncesionet do të përballen me ligjin.

Në përfundim, ai u bëri thirrje edhe socialistëve që të bashkohen me Partinë Demokratike për të sjellë ndryshimin, duke e cilësuar programin e PD-së si një ofertë për të gjithë shqiptarët.