DURRES, 3 prill 2013– Nga Durrësi kryeministri Sali Berisha është shprehur i sigurtë në fitoren e zgjedhjeve të 23 qershorit, duke ironizuar edhe bashkimin e PS-së me LSI-në.

“Do të bëjmë gjithçka që shqiptarët të krijojnë më shumë të ardhura.  Ishte një shans i madh që reformat që kemi ndërmarrë kohët e fundit por edhe ato që do të ndërmarrim për mbrojten e Shqipërisë nga recesioni në kulmin e krizës europiane. Reformat që do të ndërmarrim fill pas zgjedhjeve do të jenë një nxitje e fuqishme për rritjen ekonomike, për rritjen e të ardhurave dhe të punësimit. Le të ecim drejt mandatit të sigurtë, drejt mandatit të trete, ti lemë atyre ngjalat që sapo pashë aty poshtë” – është shprehur kryeministri.

Këtë deklaratë Berisha e ka bërë gjatë vizitës në fabrikën e përpunimit të peshkut në Durrës. Sigurinë për mandatin e tretë kryeministri e bazon në krijimin e vendeve të reja të punes dhe investimeve të qeverisë së tij. Duke folur për një plan kombëtar të qeverisë për peshkun, ai premtoi ripërtëritje të plotë të flotës së peshkimit nëpërmjet kredive të buta.

“Peshkimi dhe ky sektor në tërësi përbën një nga potencialet e mëdha të zhvillimit të ekonomisë në Shqipëri, jemi një vend me bregdet 400 km në ujërat e të cilit rriten specie nga më të kërkuarat, ka liqene në të cilat ka specie unike ndër më të rrallat. Potencial të madh për t’u zhvilluar dhe shfrytëzuar, eksporti arrin në 20 milion euro por ekzistojnë të gjitha potencialet që industria të funksionojë e tëra me prodhimet tona”- tha Berisha.

Ai ka garantuar se qeveria është e vendosur katër vitet që vijnë, do të zbatojë  një plan kombëtar për peshkun, që do të synojë shumëfishimin e të gjitha kapaciteteve të këtij sektori, që do të nisë me ripërtëritjen e plotë, heqjen e detyrimeve tatimore për çdo material që duhet për këtë fushë, subvencionim për rastet që duhen, shumëfishim fermave të peshkut.