Ish-kryeministri Sali Berisha në një bashkëbisedim me qytetarët e Elbasanit foli për situatën në Kuvend dhe për aksionin politik parlamentar të opozitës.

Berisha u shpreh se kjo nuk është një betejë politike, por jetike për mbrojtjen e Kushtetutës dhe të drejtave të qytetarëve.

Pjesë nga fjala e Berishës:

Unë vij sot tek ju me thirrjen e zemrës për çdo të ri dhe të re, për çdo qytetare dhe qytetar, demokrat dhe demokrate. Në situatën e krijuar, demokracia në Shqipëri është në klithmat e saj, është në agresionin më të rëndë në 32 vite. Demokracinë në Shqipëri, kërkon me çdo kusht dhe çmim, ta zhdukë një njeri që do të ketë në duart e tij të gjitha pushtetet. Pas 32 vitesh, vështirësish, suksesesh, mossuksesesh, Edi Rama ka zgjedhur ti japë goditjen më të rëndë në historinë e demokracisë, ka zgjedhur të asgjësojë pluralizmin politik në parlamentin shqiptar. Ka zgjedhur të ju mohojë përfaqësuesve tuaj në parlament, ato të drejtat që ju jep kushtetuta pa të cilat ata nuk përfaqësojnë asgjë tjetër përveç vetes së tyre. Pa ato të drejtat ata nuk përfaqësojnë djem e vajza, burra e gra të opozitës të cilët në kushtet më të vështira me guxim i qëndruan besnik idealeve të tyre demokratike dhe votuan kundër qeverisë.

Pas kësaj, kjo e keqe e madhe e paparë ndonjëherë që nga Enver Hoxha në historinë tonë, kërkon që ata të cilët ju me ata vota sollët në parlament, ata ti ekzekutojë politikisht, ti shndërrojë në një falsitet, në një fasadë të tij dhe jo në përfaqësues tuaj.

Në këtë aspekt beteja në parlament është betejë për jetën ose vdekjen e pluralizmit dhe demokracisë.