ROME, 19 mars 2013- Kryeministri shqiptar Sali Berisha, nga Vatikani ku po merr pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Papës Francesko i Parë, ka uruar këtë të fundit, në emër të të gjithë shqiptarëve, për jetëgjatësi dhe suksese në misonin e tij hyjnor. 

Duke shkruar në faqen e tij në rrjetin social Facebook, Berisha e cilëson ceremoninë e sotme, si moment historik për Romën dhe gjithë Botën, për besimtarët katolikë dhe për mbarë njerëzimin. “Shqiptarët, si një ndër kombet themelues të krishtërimit, që i kanë dhënë botës Shenjtorë, Papë dhe Nënë Terezën, gruan më të njohur pas Shën Mërisë, kanë tek Selia e Shenjtë aleatin e tyre të shkëlqyer, që nga lashtësia deri në ditët e sotme”, shkruan Berisha në faqen e tij. 

“Prandaj le t’i urojmë Atit të Shenjtë jetë të gjatë dhe shumë suksese në misionin e tij hyjnor të udhëheqjes së Kishës Katolike dhe kontributin e tij për paqen në botë”, përfundon urimin e tij kryeministri Berisha