TIRANË– Kryeministri Sali Berisha gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, u ndal dhe tek ngjarjet e 21 janarit të dy viteve me parë. Duke shprehur ngushëllimet për familjet të viktimave të Ramës, (sipas kreu të qeverisë), ai ka bërë apel të mos bëhet presion mbi drejtësinë e cila do të zbardhet deri në fund. Berisha vlerësoi se ngjarjet e 2 viteve më parë ishin përpjekje për të rrëzuar pushtetin me dhunë.
“Dy vjet më parë, pas 80 e ca vitesh, një grusht aventurierësh bënë përpjekje për të rrezuar me dhunë pushtetin e dalë me votë, ishte akti më i shëmtuar që nga viti 24 deri në ditët e sotme në historinë e institucioneve shtetërore. Ata që menduan se me dhunë do mund të kishin mandatin e tyre ata përfunduan në koshin ku kanë vendin të gjithë ata që mendojnë si ata. I shpreh ngushëllimet familjeve viktima të Ramës, i kërkojë të ndërpresë çdo presion ndaj drejtësisë, sikundër garantoj qytetarët se qeveria do të bëjë gjithçka që e vërteta të dalë dhe drejtësia të veprojë”- tha Berisha.
Sipas Kryeministrit, deri sot asnjë prej atyre që organizoi, pagoi, mashtroi njerëz të hunit e litarit që erdhën për të përmbysur pushtetin me dhunë dhe krijuan viktima para ndërtesës së KM, nuk është para drejtësisë. Berisha theksoi se Rama sot mbledh kortezhë mortorë për të cilët ka përgjegjësi maksimale.
“Kjo vetëm se Rama donte të mbante fjalim nga ballkoni i zyrës sime dhe tani përpiqet të mbledhë vota me kortezhë mortore për të cilat ai ka përgjegjësi maksimale. Dua ti them sesi ‘Drogu’ do mbetet, si rreshteri i Buxatit ‘Drogu’, në pritje të karriges së pushtetit me këto veprime dhe akte që bën”- tha Berisha.