11 Mars 2015 – Ish-kryeministri Sali Berisha pohon se atentati i mbetur në tentativë ndaj deputetit Tom Doshi është i vërtetë. Por sipas tij, kjo çështje po mbyllet, që kur Rama tha se i “penduari” Durim Bani ishte aktor.

I ftuar në mbrëmje në Ora News, ish-kreu i PD-së, thotë se nuk ka asgjë personale me Ilir Metën. “Në politikë, unë s’mund të kem gjëra personale, harroje se mund të kem të tilla. Por këmbëngul të dorëhiqet sepse e kam parë që ka katandisur Parlamentin në një institucion që vetë ata, mazhoranca përpiqet ta diskretitojë çdo seancë e më shumë. Nuk kam asgjë me të.”

Berisha tha se për 6 muaj me radhë, çështja e Tom Doshit është mbajtur e fshehur nga Rama e Tahiri. “Pjesën e Tomës dhe të Ilirit e kisha marrë vesh muaj përpara dhe e denoncova dhe para gazetarëve, edhe në Parlament, thashë që do të vrasin njëri-tjetrin. E bëra atë në emër të interesit publik”.