Ish-kryeministri Sali Berisha, ka deklaruar se nuk do t’i bindet vendimit të dhënë ditën e sotme nga GJKKO për të shkuar dy herë në muaj në SPAK për tu marrë në pyetje.
I ftuar në “Opinion”, Berisha deklaroi se vendimi i GJKKO është anti-kushtetues, pasi masa e dhënë ndaj tij, për ndalimin e lëvizjes jashtë shtetit, është në shkelje me Kushtetutën.
“Unë jam ish-kryetar shteti, ish-kryeministër, Edi Rama e ndaloi këtë dhe Kushtetuta e Shqipërisë thotë deputeti nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në ç’do lloj forme pa autorizimin e parlamentit. De facto, kjo është një formë arrestimi, për Tahirin është dhënë. Nuk ka rëndësi se çfarë kërkon, Kushtetuta nuk e lejon gjykatësin.
Asaj iu kërkua, ajo refuzoi. Duhet ta pranonte të shkonte në Gjykatën Kushtetuese. Kjo bëhet kur e pranon gjykatësja. Ky quhet gjykim incidental, është e njohur. Nuk i bindem kurrë. Absolutisht jo. Është vendim anti-kushtetues, nuk paraqitem”, deklaroi ndër të tjera Berisha.