Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar dekretimin e datës së zgjedhjeve të ardhshme parlamentare nga ana e Presidentit të Republikës në 11 maj 2025. Berisha tha se: “Firmosi datën që i caktoi Edi, kjo është e gjithë puna”.
Ndër të tjera konfirmoi se zgjedhjet PD nuk do t’i bojkotojë, ndërsa theksoi se do të insistojmë për qeverinë teknike.
“Zgjedhjet nuk i bojkotojmë sepse nuk qëndrojmë si forcë politike jashtë institucionale. Në qeveri teknike insistojmë, por është radha jonë. Ka marrë fund koha e Edi Ramës. Edi Rama do të bëjë gjithçka për të mos ikur, por ne do të bëjmë gjithçka për ta larguar nga pushteti”, – tha Berisha.
“Ndihet një erë fitore nga katër anët”, – shtoi ai. Ish-kryeministri tha se PD ka program të shkëlqyer dhe me të do të fitojë. Varen te një program i shkëlqyer që po paraqesim para shqiptarëve. Me këtë program i fitojmë zgjedhjet.
“Edi Rama gjer sot kishte; vidhte zgjedhjet dhe dilte i pari Mathew Palmer dhe i thoshte ‘mezi pres të punoj me ty’. Yuri Kim i shkonte në një akt unik në histori, darkën e zgjedhjeve për të uruar Ilirjan Celibashin për procesin zgjedhor. Këto janë komedira. Kjo nuk ka për të vazhduar kurrë më”, – tha ai.