Qeveria është keq për lekë, jo vetëm për qindra milionë dollarë për firmat e ndërtimit, por nuk po gjen dot as 150-200 mijë dollarë për skulptorët, që realizuan shtatoret e monumentet e 100-vjetorit të Pavarësisë

DURRËS, 15 maj 2013– Këshilli i Ministrave premtoi lekë, vendosi të shtojë fondet, por ende nuk po jep paratë për Zogun I dhe Hasan Prishtinën.

Qeveria është keq për lekë, jo vetëm për të paguar qindra milionë dollarë për firmat e ndërtimit në tenderët publikë, por nuk po gjen dot as 150-200 mijë dollarë për skulptorët, që realizuan shtatoret e monumentet e përuruara në 100-vjetorin e Pavarësisë.

Një artist i njohur pamor, që bashkia e Durrësit nuk pranoi ta bëjë krasitës pemësh, sepse i binte autoriteti pushtetit vendor dhe bëhej skandal në medie duke parapëlqyer ta lejë pa punë, i tha “Dyrrah”-ut se ai dhe të tjerë që kanë marrë pjesë në konkurset të shpallura nga entet shtetërore, nuk janë paguar për punën.

Mes tyre bëhet fjalë dhe për dy vepra: për shtatoren e Ahmet Zogut (autor Kreshnik Xhiku) dhe bustin e Hasan Prishtinës (autor Artan Peqini), gjithsej rreth 100 mijë dollarë.

Me këto dy fonde modeste do të paguheshin artistët, derdhësit në bronz etj.

Më 26 shtator 2012 Këshilli i Ministrave vendosi që Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në buxhetin e miratuar për vitin 2012, t’i shtoheshin fonde për veprën monumentale “100 Vjet Pavarësi” (57 108 870 lekë); shtatoren e Mbretit Zog I (5 460 180 lekë); për shtatoren e Hasan Prishtinës (5 365 020 lekë); për monumentin e Kongresit të Lushnjës (12 013 258 lekë).

Në përurimin me bujë të veprave ka marrë pjesë Kryeministri Sali Berisha.

Ndërkohë, zëvendësministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Abaz Hado, kandidat për deputet i PDIU-së në qarkun e Durrësit, pranoi në linjë telefonike se ka disa vështirësi në disbursimin e fondeve, por një pjesë e tyre po jepen dora-dorës.

Hado ishte i sigurt se artistët dhe punëtorët së shpejti (pa caktuar afat) do të shpërblehen.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/